Gjatë muajve të fundit në Magurë të Lipjanit janë tensionuar raportet në mes të banorëve, derisa Komuna ka rregulluar një pjesë të shtratit të lumit dhe një shëtitore. Por këto investime ishin bërë në pronë private pa e pyetur pronarin e parcelës. Banorët po e akuzojnë Komunën se investoi në mënyrë të jashtëligjshme.
Isuf Avdullahu nga Magurja e Lipjanit tash e disa muaj e ka bllokuar qarkullimin e qytetarëve përgjatë shtratit të Lumit me arsyetim se është prona e tij private.
Komuna nuk e kishte pyetur atë para se ta realizonte këtë projekt.
Kjo çështje ka rritur tensionet e banorëve të fshatit, të cilët duan zgjidhje institucionale, pasi që kjo rrugë ua lehtëson qarkullimin për t’u lidhur me rrugën kryesore.
“Kjo pronë është e imja, unë 30 vjet kam punuar në Gjermani për këtë pronë dhe kam paguar kreditë atje që e kam blerë këtë pronë nga një serb. Kjo është e imja dhe nuk ia lëshoj askujt edhe baba jem me ardhë dhe me u zgju nga varri. Kjo është rrugë e që ia kam nda djemve”, ka thënë ai.
Avdullahi shpjegon se pse nuk po i lejon bashkëfshatarët e tij të kalojnë aty.
“Nuk kemi dashur t’i lejojmë të vendosin pllaka këtu dhe ua kemi shpjeguar se prona është private dhe kemi me rregullu për vete. Ata kanë thënë se çfarë bëni ju ndërmjet vete është punë e juaja, por ne e kemi për detyrë ta përfundojmë”, ka treguar ai.
Ramë Bardhi, banor i fshatit, ka thënë se Komuna ka dështuar në këtë rast për ta zgjidhur problemin para se të investojë në pronë private.
Banorët paralajmërojnë padi ndaj Komunës për dëmtim të buxhetit të taksapaguesve.
“Fshati ka problem kur është rregulluar lumi nga pazari e deri poshtë, por trotuari është i mbyllur sepse është rregulluar në pronë private e kinse si Komunë nuk e kanë ditur se është pronë private dhe se Komuna nuk i ka ekspertët dhe kadastarin për ta bërë matjen e pronës private dhe e shtetit. Tash është mbyllur trotuari”, ka thënë Bardhi.
“Sa jam në dijeni ka pasur bisedime që të zgjidhet kjo çështje, mirëpo fatkeqësisht Komuna dhe pronarët ende nuk kanë mundur të bëjnë zgjidhje ku ai trotuar do të ishte funksional dhe do ta shfrytëzonin të gjithë ata për çka është dedikuar”, ka deklaruar Abedin Hazolli.
Komuna e Lipjanit prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje, ndërkohë zëdhënësja e Komunës, Hyra Bytyqi, nuk është përgjigjur as në telefon.