Arbëri

Banorëve të Gadimes u është ndarë toka në dysh nga autostrada

Banorët e Gadimes së Lipjanit po i akuzojnë Komunën dhe Ministrinë e Infrastrukturës se pas ndërtimit të autostradës nuk po mund t’i punojnë tokat e tyre shkaku i mungesës së një rruge alternative. Ata kanë kërkuar nga Komuna zgjidhje urgjente, në të kundërtën paralajmërojnë protesta e bllokim të rrugës

Lipjan, 7 mars - Ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” ua ka ndarë në dy pjesë parcelat bujqësore banorëve të fshatit Gadime të Komunës së Lipjanit.

Ata prej vitesh nuk po arrijnë t’i punojnë ato, pasi nuk është ndërtuar ndonjë rrugë alternative që do t’ua mundësonte atyre qasjen në tokat e tyre.

Banorët disa herë kanë kërkuar mbështetje nga Komuna dhe nga Ministria e Infrastrukturës, mirëpo deri më tash nuk kanë marrë përgjigje konkrete.

Ramadan Maholli, banor i Gadimes, kërkon nga Komuna e Lipjanit ta zgjidhë këtë telash.

“Autostrada që është ndërtuar e ka ndarë tokën në dy pjesë, në njërën pjesë nuk po lëshohet rruga. Komuna dy herë i ka dërguar gjeometrat për t’i vendosur pikat, por prapë nuk po lëshohet rruga. Prej që ka filluar autostrada këto toka kanë mbetur pa u punuar, kurse thonë se nuk duhet të mbetet asnjë pëllëmbë tokë pa u punuar”, ka thënë ai.

E Shaban Maholli tregon për vështirësitë që duhet të kalohen për të mbërritur te toka e tij, që është ndarë në dy pjesë.

“Jemi dalë për këtë rrugë me u marrë vesh, ne këndej duhet të kalojmë, sepse s’kemi kah me hy në arat tona t’i punojmë ato, tash Komuna duhet me na e zgjidh këtë çështje të rrugës që të hyjmë për ta punuar arën”, thotë ai, teksa tregon mënyrën se si i qaset tokës së tij për ta punuar.

Asamblisti në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Shkëlzen Bislimi, që është nga ky fshat, tregon se disa herë e ka ngritur këtë çështje aty, por pa sukses.

“Unë në Kuvendin Komunal para dy viteve e kam ngritur si shqetësim këtë çështje, por po e shohim se është nevoja ta ngrisim përsëri këtë problematikë, pasi që banorët janë shumë të shqetësuar për këtë çështje”, ka thënë kuvendari i VV-së në Lipjan.

Komuna e Lipjanit dhe Ministria e Infrastrukturës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështjeje.

Banorët kanë paralajmëruar protestë dhe bllokim të autostradës nëse institucionet kompetente nuk u bëjnë zgjidhje.