Arbëri

Banorët protestojnë kundër ndërtimeve pa kritere në lagjen “Gëzim Sahiti” në Ferizaj

Banorët e lagjes “Gëzim Sahiti” në Ferizaj kanë mbajtur të premten protestë kundër ndërtimeve të larta pa kritere. Ata kanë pretenduar se me Planin Zhvillimor Komunal aty nuk lejohet ndërtimi i objekteve më të larta se 2 kate, teksa kanë akuzuar Komunën për degradim urban

Banorë të lagjes “Gëzim Sahiti” në Ferizaj kanë kundërshtuar të premten me protestë ndërtimet e larta pa kritere që po bëhen në komunitetin e tyre. Kundërshtimin më të madh ata e shprehën për objektin e “Hit Petrolit”, për të cilin Ekzekutivi pati marrë vendim që t’i ndërpriteshin punimet shkaku i shkeljeve ligjore, porse Inspektorati Komunal nuk e ka zbatuar.

Banori Azem Tahiri ka treguar se për pasojë i është shembur një pjesë e gur themelit të shtëpisë.

“Rrezikun e kemi të madh, rastin konkret e kemi që ka lëvizur themeli i shtëpisë dhe do të lëvizë edhe në të ardhmen më shumë. Në pjesën e rrugës ndërtuesi e ka mbyllur gropën, ndërkaq kah pjesa jonë prej më shumë se një vjet e gjysmë që po ballafaqohemi. Këto probleme për neve janë ekzistenciale, sepse të më shembej shtëpia çfarë do të thotë më shumë”, ka thënë Tahiri.

Pronari i objektit, Fatmir Grainca, nuk ka pranuar që të flasë për KOHËN lidhur me rastin. Ndërkaq 21 familje të lagjes kanë njoftuar se kanë vendosur që t’i shesin shtëpitë.

Pas mbërritjes së policisë në vendin e protestës është ftuar edhe inspektori kompetent i ndërtimeve, Xhemajl Tahiri, i cili është akuzuar nga banorët për moszbatim të vendimit zyrtar.

“Vendimi i ekzekutivit është i paqartë për neve, kemi kërkuar sqarime nga Drejtoria e Urbanizmit, për pikën 3 të vendimit. Në bazë të drejtorisë këtij objekti duhet t’i vendoset edhe pllaka për sigurinë e objektit”, ka thënë Tahiri.

“Ne i kemi vënë shtëpitë në shitje, sepse po bëhen ndërtime të kundërligjshme pa kuruar kriterin. Ne apelojmë sa më shpejt që kjo gropë të mbyllet dhe ne të jetojmë në qetësi”, ka deklaruar banori Shkëlzen Petershani.

E drejtori i Urbanizmit, Arbër Bytyqi, ka thënë se punëkryerësi ka qenë i obliguar që të krijojë siguri për banorët dhe t’i ndërpresë punimet.

“Sa i përket kësaj çështjeje Drejtoria e Urbanizmit tashmë ka marrë një vendim për shkak se invenstitori nuk u është përmbajtur kushteve të lëshimit të lejes ndërtimore. Tash ajo leje është anuluar dhe nuk është në fuqi”, ka thënë Bytyqi.

Banorët kanë kërkuar që Prokuroria të nisë hetimet lidhur me ndërtimin e këtij objekti banesor.