Qytetarët në Lipjan e Shtime po ankohen se gjatë ditëve të fundit po rrezikohen nga qentë endacakë, sidomos fëmijët derisa po shkojnë në shkollë në orët e hershme të mëngjesit.
Megjithëse trajtimi i qenve endacakë prej vitesh ka kaluar në kompetenca të nivelit qendror, Komuna e Lipjanit gjatë dy viteve të fundit ka trajtuar qindra qen endacak nëpërmjet strehimoreve dhe projekteve te tjera, por me gjendje më të rëndë po vazhdon të mbetet komuna e Shtimes. Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se pavarësisht kësaj, janë duke u angazhuar që të angazhohen së bashku me nivelin qendror për t’i trajtuar edhe një pjesë të qenve endacak të cilët po e frekuentojnë qytetin.
Arben Ademi nga fshati Davidovc i Shtimes, ka thënë se më të rrezikuar janë fëmijët gjatë vajtje-ardhje nga shkolla.
“Sidomos në orët e mëngjesit qentë endacak po bëhen më agresivë, prandaj megjithëse kemi biseduar me zyrtarët komunal, sërish kërkojmë nga ekzekutivi i ri i komunës ta mendojë edhe trajtimin e qenve endacakë qoftë nëpërmjet projekteve me nivelin qendror apo me buxhet të Komunës”, ka thënë Ademi.
Ndërkaq, Rexhep Ngucati nga Lipjani, ka deklaruar se mëngjesin e së enjtes fëmijët e tij janë rrezikuar nga qentë endacak.
“Fëmijët derisa po shkojnë në shkollë po rrezikohen shumë sepse mbi 20 qenë endacakë po qëndrojnë në shesh në orët e mëngjesit. Kërkojmë nga institucionet përkatëse të merren më shumë me trajtimin e qenve endacak me qëllim që mos të ndodh diçka e keqe për fëmijët tanë”, ka thënë Ngucati.
Në anën tjetër burime brenda Komunës së Lipjanit kanë shpjeguar se janë trajtuar qindra qenë endacakë gjatë dy vjetëve të fundit megjithëse kjo çështje ka kaluar në kompetenca të nivelit qendror.
“Si komunë jemi duke i shikuar mundësitë edhe për të ardhmen të bëjmë diçka në këtë drejtim në mënyrë që të krijojmë edhe më shumë siguri për qytetarët e Lipjanit. Do të angazhohemi dhe të kërkojmë mbështetje edhe nga niveli qendror sepse trajtimi i qenve endacak ka kaluar komplet në kompetencat e tyre”, ka thënë ky burim.