Arbëri

Banorët e Zllatarit në Ferizaj, lirojnë pronat e tyre për zgjerim dhe asfaltim të rrugës

Banoret e fshatit Zllatar ne Ferizaj falin pronat per zgjerim te rruges

Një pjesë e banorëve të fshatit Zllatar të Komunës së Ferizajt kanë vendosur t’i lirojnë pronat e tyre në mënyrë vullnetare, për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës së fshatit.

Ata kanë thënë se rruga aktuale prej disa kilometrash që e lidh fshatin Zllatar me rrugën rajonale Ferizaj - Prishtinë, ka qenë e ngushtë, ndërkohë Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt kanë nisur punimet pas lirimit të pronave nga banorët.

Banorët kanë larguar edhe muret e oborreve dhe objekteve përgjatë kësaj rruge me qëllim që lëvizja e qytetarëve të jetë sa më e lehtë.

Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, ka thënë se disa bashkëfshatarë kanë liruar pronat private pa asnjë kompensim.

“Projekti për zgjerimin e rrugës kryesore të fshatit është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndërkaq ne si banor kemi vendosur që secili nga ne që kemi prona përgjatë kësaj rruge t’i lirojmë ato me qëllim që rruga të ndërtohej sa më e gjerë. Banorët e fshatit tonë janë treguar kontribut-dhënës edhe në të kaluarën për lirim të pronave për interesa të përgjithshme”, ka thënë Sallahu.

Ndërkaq, Sabri Murseli, drejtor për Pronë, Kadastër e Gjeodezi në Komunën e Ferizajt ka thënë se tash kanë filluar banorët e fshatit Zllatar t’i japin deklaratat e tyre lidhur me lirimin e pronave private për zgjerim dhe asfaltim të rrugës.

“Rruga ka qenë shumë e ngushtë, ndërkohë banorët kanë vendosur t’i lirojnë ato dhe tash kanë filluar t’i japin deklaratat e tyre në komunë që ato parcela të kalojnë në pronë publike. Përveç rrugës kryesore banorët kanë filluar t’i japin pronat falas edhe për disa rrugica të cilat po realizohen në kuadër të projektit. Ky projekt është duke u realizuar nga ministria pas një memorandumi që është nënshkruar me Komunën e Ferizajt dhe i cili projekt ka një rëndësi të veçantë për banorët e atyre lokaliteteve”, ka thënë midis të tjerash Murseli