Banorët e komunitetit ashkali në lagjen “Sallahane” në qytetin e Ferizajt, prej kohësh po kërkojnë projekte infrastrukturore, përfshirë rregullimin e rrjetit të kanalizimit, ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe gjetjen e mundësive strehuese për disa familje.
Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e komitetit për komunitete në këtë komunë kanë mbajtur takime me banorët e lagjes për t’i kuptuar për së afërmi hallet dhe kërkesat e tyre.
Arsim Gashi, banor i kësaj lagje, ka thënë se institucionet komunale duhet të bëjnë më shumë për komunitetin pakicë.
“Lagja ‘Sallahane’ ka nevojë për rregullim të rrjetit të kanalizimit i cili është dëmtuar nga automjetet e rënda, pastaj mbulimin e gropave nëpër rrugë, pastaj të gjenden mundësitë për strehimin e disa familjeve skamnore etj.”, ka thënë shkurt Gashi.
Kryesuesi i Komitetit për Komunitete në Komunën e Ferizajt, Osman Emini, ka thënë për KOHËN se tashmë kanë mbajtur takime me banorët e kësaj lagje.
“Kemi dalë në vizitë për t’i kuptuar kërkesat e banorëve të kësaj lagjeje dhe ndërkohë e kemi njoftuar kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe nëpërmjet dokumenteve do ta njoftojmë secilën drejtori për kërkesat e banorëve të këtij komuniteti. Ata kanë nevojë për strehim, për rregullim të gropave dhe kanalizimit në rrugë sepse janë dëmtuar nga peshat e rënda, pastaj vendosjen e pengesave nëpër rrugë për ta parandaluar vozitjen e shpejtë të automjeteve dhe ndërtimin e një parku dhe një fushë sportive në një pronë publike në këtë lagje”, ka thënë Emini.
{gallery}