Tash e 16 vjet, banorët e Resinocit në Lipjan nuk janë paguar për parcelat e tyre, mbi të cilat është ndërtuar rruga që e lidh Komoranin e Drenasit me Carralevën e Shtimes.
Ata tregojnë se gjatë kësaj kohe, kanë dorëzuar dhjetëra kërkesa dhe kanë mbajtur takime me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, por pa efekt.
Sipas Shefki Sinanit, secila familja është dëmtuar me nga 20 ari pas ndërtimit të kësaj rruge regjionale më 2005.
“Këtu s’ka pasur rrugë, por rruga ka kaluar përmes arave. Mua m’i kanë pre 100 trupa me pemë të trasha afër shtëpisë. Asgjë nuk kanë paguar hiç, jemi në hall, e kemi zënë rrugën dy herë, kanë ardhur policia, na i kanë pru edhe ‘specialc’-at, ne s’po dimë çka të bëjmë e as kujt t’i drejtohemi. Mundësi nuk po kemi me zënë avokat sepse po i merr 10 për qind”, ankohet Shefki Sinani.
Ata ngulmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për ta, duke paralajmëruar protesta në të kundërtën.
“Ne duhet të dalim këtu ose me blloku ose me livru, qe 16 vjet nuk po e shfrytëzojmë ne, ose e qesim doganë këtu. Qe 16 vjet pa u punuar toka, është marre prej Ministrisë. Këtu le të vjen çdo polic dhe çdo kush se ne mundem me livru dhe nuk mundet me më ndalë se nuk e ka pagu, e jona është ende”, tha Elmi Sinani.
Ndërkaq, njëri nga bashkëfshatarët dyshon se paratë e tyre u keqpërdorën.
“Çdo kah po paguhen tokat, e neve s’na ka pagu askush, nuk e di si e kanë menduar ata. A po i hanë për veti, a çka po bëhet nuk e di”, deklaroi Vehbi Sinani.
KOHA i ka dërguar qysh të martën pyetje Ministrisë së Infrastrukturës rreth shqetësimeve të banorëve të këtij fshati, por nuk ka marrë përgjigje.