Disa lokalitete në Komunën e Shtimes shpeshherë përballen me vërshime sa herë që ka të reshura të shiut, si pasojë e mosrregullimit të lumenjve nëpër vendbanime. Ditë më parë dëme të mëdha janë shkaktuar në fshatin Petrovë ndërkaq komisioni komunal për vlerësim të dëmeve ende nuk ka dalë në terren. Ekzekutivi ende nuk ka planifikuar investime konkrete për parandalim të vërshimeve.
Isuf Hysenaj, banor nga fshati Petrovë, është ankuar se që nga ditët e vikendit kur pati vërshime, ende komisioni për vlerësim të dëmeve nuk ka dalë në terren, megjithëse ujërat nga lumi kanë depërtuar nëpër shtëpi të banimit duke shkaktuar dëme të mëdha.
“Probleme me ujë kemi prej kohësh si pasojë e mosrregullimit të shtratit të lumit që kalon afër shtëpive tona të banimit. Prandaj sa herë që ka të reshura të shiut, ujërat depërtojnë brenda në shtëpinë time dhe në pontonin time. Në vikend sërish ka pasur vërshime shkaku i të reshurave të mëdha të shiut, ndërkaq mua më kanë shkaktuar dëme me mijëra euro, por komisioni komunal për vlerësim të dëmeve ende nuk kanë dalë në terren për vlerësim të dëmeve, megjithëse i kam thirrur disa herë dhe kam qenë fizikisht edhe në komunë”, është ankuar Hysenaj.
Sipas tij, edhe ish-qeverisja e kaluar i kishte premtuar se do të rregullohet shtrati i lumit përgjatë shtëpive të banimit, por ajo s’ka ka ndodhur.
“Tash është ndërruar qeverisja dhe kryetari i ri ka dhënë premtime se do ta rregullon këtë çështje, por nuk ka asgjë konkrete. Do të pres edhe pak dhe do ta bëj zgjidhjen vetë duke e bllokuar rrjedhën e lumit në mënyrë që ujërat mos të futen në shtëpinë time, por pasoja do të ketë në komunikacion sepse pastaj do të vështirësohet qarkullimi i automjeteve”, vijoi ai.
Edhe një banor tjetër që nuk ka dashur t’i përmendej emri ka thënë se komuna duhet ta rregullojë shtratin e lumit dhe kanalet e ujërave atmosferik në mënyrë që të parandalohen vërshimet.
“Fshati jonë i Petrovës gjithmonë jemi përballur me vërshime shkaku i mos-investimeve në infrastrukturë, prandaj e njëjta gjë po vazhdon edhe me këtë qeverisje. Ne kërkojmë rregullimin e shtratit të lumit dhe kanaleve të ujërave atmosferik”, ka thënë ai.
As zyra për informim e as drejtori për Shërbime Publike, Bardhyl Rushiti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.
{gallery}