Për telashe nga gurthyesi që operon afër shtëpive të tyre po ankohen banorët e fshatit Petrovë të Komunës së Shtimes.
Ata thonë se përveç ndotjes së ambientit nga pluhuri, janë të rrezikuar edhe nga makineritë e rënda transportuese që vazhdimisht frekuentojnë nëpër rrugë të fshatit.
Madje, si thonë ata, funksionimi i vazhdueshëm i gurthyesit po ua dëmton edhe muret e shtëpive.
Banori Kadri Hysenaj, ankohet se po u pengon shumë edhe zhurma.
“Po na bëjnë zhurmë, pluhur, poter, 20 metra afër e kam gurthyesin. Nuk mund askush të jetoj këtu po të tregoj drejtë. Shkarkohet kamioni, veç kur të zgjohen fëmijët nga gjumi. Jemi shkuar të merremi vesh, kom pas probleme me ta”, ka thënë ai.
Sipas banorëve, gurthyesi duke hedhur zhavorr, e ka uzurpuar edhe një rrugë e cila çon te fusha e futbollit.
“Prej që ekziston ky popull në këtë fshat ekziston edhe kjo rrugë që në anën tjetër është bërë asfalt deri në Rancë që është shumë për interes tonin për t’mirë dhe jo për keq, por pjesa tjetër këtu është e uzurpuar”, ka thënë banori Basri Rexhaj.
KOHA ka provuar të marrë një deklaratë nga pronari i këtij gurthyesi, por ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë së premtes.
Sipas banorëve, gjatë 24 orëve nëpër rrugët e fshatit lëvizin mbi një mijë automjete të tilla transportuese, të cilat përveçse po ua degradojnë rrugët, po rrezikojnë edhe qytetarët dhe fëmijët.
Elmi Rexhaj nga ky fshat tregon për një incident që kishte ndodhur më parë.
“Vjet në vitin e kaluar është rrotulluar një kamion sepse e kanë lëshuar drejtë dhe fluturim ka ra te çezma me katër rrotë përpjetë”.
Ministria e Ambientit të premten nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështjeje.
Ndërkaq nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Shtimes, Hamëz Tershani, ka thënë se ky gurthyes posedon të gjitha dokumentet e nevojshme nga niveli qendror, andaj shpeshherë bëhen inspektime nga inspektorët e nivelit lokal dhe qendror me qëllim të përmbushjes së kritereve.