Arbëri

Banorët e objekteve kolektive në Ferizaj kërkojnë vendosjen e ujëmatësve

Banorët e dhjetëra objekteve të vjetra kolektive në Ferizaj po ankohen se kompania rajonale e ujësjellësit “Bifurkacioni” po ua dërgon faturat e ujit pa ndonjë llogari fikse të shpenzimit. Ata kërkojnë nga kjo kompani vendosjen e ujëmatësve individualë.

Secilës familje i është grumbulluar borxhi i ujit prej 2 mijë deri në 5 mijë eurosh, derisa thonë se janë ankuar te Kompania Rajonale e Ujësjellësit.

“Nuk kemi ujëmatës dhe asnjëherë nuk kemi pasur sepse problemi i infrastrukturës së ujësjellësit dhe i kanalizimit është e rregulluar në atë mënyrë që çdo banesë i ka dy burime të cilat nuk lidhen askund njëra me tjetrën dhe aq ngushtë janë të vendosura sa që kanë pasur problem që t’i vendosin ujëmatësit”, ka thënë Sylejman Topalli, banor në objektin e vjetër.

“Qe 3 vjet kam bërë kërkesë, qe 2 vjet kam bërë kërkesë, qe një vjet kam bërë kërkesë, tani ma kanë lëshuar një aktvendim dhe më kanë pranuar pjesërisht, por llogarite për çdo 24 orë që unë e kam regjistruar shpenzohen 120 kubik me ujë, megjithëse 2 familje nga 4 anëtar jetojmë këtu. Nuk e di çka me thënë, sinqerisht jam tepër e revoltuar”, ka thënë Fatime Zymberi.

Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” kanë thënë se këtyre banorëve nuk mund t’u bëjnë zgjidhje derisa nuk ka hapësirë për vendosje të ujëmatësve.

“Një pjesë e tyre nuk kanë ujëmatës, por kjo është e rregulluar me rregullat e zyrës rregullative të ujit sepse ne i kemi format që të faturojmë në bazë të banorëve ose në bazë të ujëmatësit të përbashkët që shpërndahet uji nëpër banesa, mesiguri se dikush dëmtohet më tepër se ka numër më të vogël të banorëve por megjithatë është forma e vetme se s’kemi formë tjetër që të bëjmë një matje të ujit”, ka deklaruar Nazif Asllani, drejtor i kompanisë.

Deri në 8 milionë euro kanë shkuar borxhet që qytetarët ia kanë borxh kësaj kompanie.