Problemet me rrjetin e dobët elektrik në fshatin Lubovec të Skenderajt po i shqetësojnë banorët. Në hall me këtë është edhe një kultivues i mjedrës, i cili thotë se nuk e di se si do t’ia bëjë me rendimentin, pasi shkaku i rrymës frigoriferët kanë mbetur jashtë funksionit. Por, në KEDS thonë se janë duke bërë investime masive në rrjetin elektrik në Komunën e Skenderajt. Investimet, sipas zëdhënësit Viktor Buzhala, përfshijnë edhe fshatin Lubovec
Naim Haliti nga Luboveci i Skenderajt e di se kur do ta fillojë vjeljen e mjedrës, por nuk e di se ku do t’i ruajë ato. Nëse i ruan në frigoriferët pranë plantacionit ku kultivon rreth 2 hektarë mjedra rrezikon që ato t’i prishen shkaku i rrymës së dobët.
“Do të thotë, me mjedrat – siç jeni duke i parë – edhe 1 muaj ditë do të fillojmë me vjelje, këtë vit presim t’i marrim diku 15 mijë deri në 20 mijë kilogramë dhe nëse nuk i ruajmë këto humbjet do të jenë të paparashikueshme. Jemi në kredi dhe do ta kemi vështirë që t’i paguajmë këstet e kredisë”, thotë Haliti.
Nëse kjo ndodh, vitin e ardhshëm ai druan se mund t’i falimentojnë biznesi.
Kërkesat që ua ka drejtuar KEDS-it dhe Komunës për intervenim në rrjetin e stërvjetruar të energjisë e me shtylla të improvizuara, nuk janë marrë parasysh tash e disa vite.
Edhe banorët e tjerë që nuk kanë folur para kamerës janë ankuar për rrymën e dobët dhe shtyllat e vjetruara. Vitin e kaluar, KOHA ka raportuar për rrëzimin e shtyllave në këtë fshat shkaku i erërave të forta.
Por, në KEDS thonë se janë duke investuar në mënyrë masive në rrjetin elektrik në Komunën e Skenderajt dhe vetëm këtë vit janë të paraparë 69 projekte.
Sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, KEDS-i ka trashëguar një rrjet me gjendje të rënduar në tërë territorin e vendit. Ka thënë se janë duke ndërruar komplet rrjetin në shumë lokalitete, për shkak se ka qenë gjendja e rëndë. Në të tillë gjendje thotë se ka qenë edhe Skenderaj.
“Sigurisht që edhe në Lubovec dhe në zona të tjera do të investohet, por nuk e kemi çelësin magjik që t’i kryejmë të gjitha investimet përnjëherë, pasi dihet që edhe fondi investues nga ZRRE-ja është i kufizuar dhe sigurisht po flasim për dinamikë, për plan disavjeçar. Investimi do të kryhet dhe do të ecim përpara. Por, në Skenderaj po bëjmë investime masive dhe është komuna më përfituese për këtë vit dhe kësisoj do të vazhdohet tutje. Po flasim për investime që shkojnë miliona euro, që kalojnë edhe buxhetin e Komunës”, ka theksuar Buzhala.
Për investimet në këtë komunë, Buzhala tregon se kanë pasur takim edhe me kryetarin e Komunës dhe kanë diskutuar për prioritetet.
“Gjithmonë u japim prioritet dy faktorëve: gjendjes së rrjetit dhe numrit të konsumatorëve përfitues. Do të thotë, në këto dy situata bëhet renditja e projekteve, por ne jemi duke e ndërruar komplet gjendjen e rrjetit në tërë territorin e vendit, aty jemi të fokusuar komplet në atë komunë, gjendja do të ndryshojë dhe do të ecim përpara”, ka theksuar ai.
Nga Komuna e Skenderajt thonë se pas kërkesave që ia ka bërë KEDS-it kryetari i Komunës, Bekim Jashari, kjo kompani do të investojë gjatë këtij viti dhe gjatë vitit tjetër rreth 8 milionë euro në rrjetin e energjisë elektrike.
“Kështu do të eliminohet edhe ky problem i fermerit në fjalë. Kërkesa është bërë disa herë, investimet do të bëhen sipas planit të KEDS-it. Se kur fillojnë varet nga plani dinamik i KEDS-it”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
E Naim Haliti shpreson që një gjë e tillë të bëhet sa më shpejt, pasi thotë se – përveç dëmeve që i shkaktohen biznesit të tij – do të mbesin pa punë edhe 20 banorë të fshatit që punojnë në vjeljen e mjedrave.