Arbëri

Banorët e Llapnasellës prej vitesh përballen me ndotjen nga një çimentore

Ka shtatë vjet që një pjesë e banorëve të Llapnasellës së Graçanicës përballen me ndotjeje të ambientit nga pluhuri e zhurma e një çimentoreje. Ata ankohen edhe për degradim të rrugëve e dëmtim pronash. Pronari i fabrikës së çimentos thotë se biznesi i tij nuk ndot, por pluhuri vjen nga KEK-u, ani se termocentrali ndodhet rreth 20 kilometra larg.

Një pjesë e banorëve të Llapnasellës së Graçanicës, që gjenden afër zonës industriale në magjistralen Prishtinë-Lipjan, ankohen se prej vitit 2015 fabrika e çimentores po ua ndot ajrin dhe tokën, po shkakton zhurmë dhe po i degradon rrugët lokale.

Në fqinjësi të parë me fabrikën është familja e Idriz Hasanit.

Ai thotë se përpos ndotjes po u cenohet jeta familjarëve dhe i është dëmtuar edhe muri i shtëpisë.

”Unë nuk e di se si do t’ia bëjmë këtu, a do të funksionojë ligji në këtë vend apo është ky mbi ligjin, prandaj nuk po e kuptoj. Kisha bërë thirrje që të merren masa nga njerëzit kompetentë ndaj këtyre gjërave. Këtë shqetësim e kam shumë të madh kështu që prej vitit 2015 operon personi duke na shkaktuar gjithmonë dëme”, ka thënë banori, Idriz Hasani.

Ankesa kanë edhe përfaqësues të bizneseve lokale.

“Më të vërtetë është tepruar me të gjitha gjërat, sepse janë futur betoniera, baza të asfaltit dhe janë shumë të pakujdesshme në dëmet që i shkaktojnë biznesit tonë dhe banorëve që banojnë këtu”, ka thën[ Agim Nitaj, përfaqësues i një biznesi.

Por, pronari i fabrikës së çimentores thotë se punën e bën në bazë të lejeve që ka dhe se nuk ka shumë banorë që ankohen. Ndërkaq për ndotjen në këtë lokalitet thotë të mos jetë përgjegjëse çimentorja por KEK-u, ani se ndodhet rreth 20 kilometra larg.

“Prej banorëve kemi pak ankesa. Njëri prej tyre ka tentuar që unë t’ia blej shtëpinë me çmim të lartë. Jam i pajisur me licenca me dokumente në rregull, plus fabrikat e betonit janë me filtra dhe me gjithçka. Ata i bëjnë disa foto dhe disa video gjatë natës që reflekton edhe tymi i Obiliqit gjatë natës”, ka thënë pronari i “Alba Group”, Sherif Ramukaj.

Por, Idrizi Hasani tregon pjesët gjelbëruese të oborrit, të mbuluara nga pluhuri i çimentos dhe thotë se shkaku i pluhurit nuk mund t’i hapë as dritaret për ta ajrosur shtëpinë.

Ai ankohet edhe në institucione.

”Kemi bërë ankesë në Ministri të Ambientit, në Inspektorat të ambientit, në Inspektorat të minierave dhe mineraleve dhe nuk kemi përgjigje prej tyre”, ka thënë Idriz Hasani, banor.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS në lidhje me këtë rast.

E, në një përgjigje të cilën kjo Ministri ua kishte kthyer banorëve në vitin e kaluar, mes tjerash, thuhet se është vizituar ky operator dhe se është urdhëruar që ta ndalojë aktivitetin e prodhimit të betonit derisa të pajiset me pëlqim mjedisor dhe leje mjedisore nga MMPHI-ja. Aty theksohet se janë shqiptuar dy gjoba.

“Në bazën e betonit të instaluar së pari ky operator edhe përkundër aplikimit ende nuk është pajisur me leje mjedisore nga MMPHI-ja, ndërsa në bazën e dytë të instaluar së fundi nuk posedojnë pëlqim mjedisor e as leje mjedisore”, thuhej në përgjigje.

Banorët treguan se i janë drejtuar edhe gjykatës me një padi ndaj operatorit, të cilin e akuzojnë për ndotje dhe dëme që shkakton si në pronat e paluajtshme ashtu edhe në infrastrukturë.