Arbëri

Banorët e Llapit kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaqandoll

Një hidrocentral i ri është paralajmëruar të ndërtohet në lumin Kaqandoll, që rrjedh pranë disa fshatrave të rajonit të Llapit. Por, banorët e Popovës, Lupçit të Epërm, Lupçit të Poshtëm dhe Majacit, kundërshtojnë ndërtimin e tij. Edhe pse nuk janë në dijeni për këtë, thonë se nuk do të lejojnë këtë projekt meqë rrezikon që t’i lërë pa ujë për ujitjen e tokave bujqësore. Kompania që parasheh ndërtimin e tij, të mërkurën, do të mbajë një dëgjim publik ku do të prezantohet raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis të këtij hidrocentrali

Lumi Kaqandoll kalon përmes disa fshatrave të Podujevës, për t’u bashkuar me lumin Llap. Uji që ka qarkulluar natyrshëm në rrjedhën e tij është konsideruar burimi kryesor i zhvillimit të bujqësisë në këtë zonë. Por, funksioni i tij tash mund të ndryshojë. Kompania “Hidrocom” nga Graçanica planifikon ndërtimin e hidrocentralit me kapacitet prej 2.6 megavatësh.

Edhe pse nuk janë në dijeni se çfarë përmban projekti, banorët e fshatrave Popovë, Lupç i Epërm, Majac dhe Lupç i Poshtëm thonë se nuk do ta lejojnë ndërtimin e tij.

Kryetari i fshatit Popovë, Muhamet Murati, ka thënë se do t’u drejtohen institucioneve përmes një peticioni për ta kundërshtuar ndërtimin e këtij hidrocentrali.

“Do të kundërshtojmë realizimin e atij projekti, pasi në radhë të parë ajo është një zonë ekologjike dhe mendojmë që do të degradohet ambienti në qoftë se ndërtohet ai hidrocentral. Pastaj interesat e tjera është se njerëz që jetojnë aty me bujqësi e përdorin këtë ujë për ujitje”, ka thënë ai.

Sipas tij, investimi është në kundërshtim të plotë me interesat e banorëve.

“Do të shprehim qëndrimin tonë kundër. Do t’u drejtohemi instancave të larta me peticion në kundërshtim të këtij projekti”, ka theksuar ai.

Kompania “Hidrocom” thotë se të mërkurën në orën 9:00 të mëngjesit do të mbajnë debat publik në një restorant në fshatin Lupç i Poshtëm, ku do të paraqesin Raportin e ndikimit të këtij hidrocentrali në mjedis. Sipas saj, ky hidrocentral nuk ka ndikim negativ në mjedis.

Por, banorët janë skeptikë lidhur me këtë.

“Kanë qenë para dy vjetëve këta kanë bërë matjen e ujit. Ne i kemi pyetur për çka, për çfarë arsye, por nuk na kanë treguar kurrë. Ne nuk jemi të interesuar që të na marrin këta ujë, sepse ne këtu jetojmë edhe këta me na marrë s’kemi pse të rrimë këtu. Nuk është mirë me marrë ujin tinëz, nuk e di pse nuk na kanë lajmëruar”, ka thënë Osman Rexha, banor i Popovës.

Edhe bashkëfshatari i tij, Habil Rexha, ka thënë se nuk janë të njoftuar për ndërtimin e hidrocentralit.
“Nuk jemi njoftuar, edhe pse me këtë ujë ujitet krejt kjo tokë, krejt këta banorë bëhen idare, nuk e di çka bahet. Qikjo rekë mos me kanë këtu as prej zhegut nuk rrihet. Këta e kemi me ramje të lirë”, ka theksuar ai.

Kompania në raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis ka treguar se më herët është pajisur me pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit, dhe se është duke aplikuar për pëlqim për herën e tretë.

Sipas tij, hidrocentrali nuk ka ndikim në ndryshimin e regjimit të rrjedhjes së lumit, nuk e kanosin në asnjë mënyrë ambientin natyror dhe është projekt ekologjikisht i pranueshëm.

Por, e pranon se do të ketë zvogëlim të sasisë së ujit të lumit, e cila ndikon negativisht në habitatin bimor dhe shtazor të cilat zhvillohen në lum.

Në pëlqimin paraprak, projekti do të implementohej edhe në kufirin e Komunës së Mitrovicës, ndërsa me planifikimet e reja, projekti do të implementohet në kufijtë e Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës.

Në dokumentacionin e dorëzuar, kompania ka treguar se ka modifikuar edhe kontratën me Agjencinë Pyjore të Kosovës dhe se projekti ka pranuar pajtueshmëri të plotë dhe çmime të leverdishme nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Sipas kompanisë, projekti nuk po zhvillohet në zonë arkeologjike apo zonë që është nën mbrojtje me ligj.

Sipas saj, gjatë fazës së ndërtimit mund të ketë më shumë ndikime në mjedis, “si pasojë e angazhimit të një numri të konsiderueshëm të pajisjeve mekanike për kryerjen e punimeve në dhe përreth zonës së hidrocentralit”.

Kompania thotë se në kuadër të aktiviteteve të fazës së ndërtimit, duhet të bëhet betonimi i disa mureve mbrojtëse për t’u mbrojtur nga erozioni. Ata kanë shtuar se aktivitetet e ndërtimit përfshijnë ndërtimin e një vepre marrës dhe një godine centrali, që do të bashkohen me një tubacion të rënies së ujit.

“Këto aktivitete mund të shkaktojnë ndotje të lokalizuar të ajrit, zhurmë në hapësirën e aktivitetit në fjalë dhe ndotje të vogël të dheut”, thuhet në raportin e kompanisë. “Për të gjitha këto çështje janë propozuar masat zbutëse me qëllim të minimizimit të këtyre efekteve’, është përkushtuar kompania ndërtuese nga Kosova që po bën ndërtimin e këtij hidrocentrali, ndërsa ka listuar një sërë masash që do të ndërmarrë në pjesën e fundit të transportit”, thuhet aty.

Ndërsa në fazën operacionale, kompania ka thënë se ndikimet në mjedis janë tejet minimale, pothuajse të papërfillshme. Por, thotë se me qëllim të grumbullimit të ujit, rrjedha do të devijohet, në mënyrë që edhe shpejtësia e tij të rritet.

“Pas mbledhjes së ujit në basenin e presionit, rrjedha do të përshkojë tubacionin me presion dhe do të arrijë secilën turbinë”, thuhet në raport.

Sipas raporti të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të ketë ndikime të moderuara në lokacionin dhe përreth saj, ndërsa studimet sugjerojnë se ndërtimi është teknikisht i mundshëm dhe ekonomikisht i arsyeshëm.

Ky projekt parashihet të ndërtohet brenda 24 muajve. Hidrocentrali pritet të prodhojë mesatarisht 6,081,730 kilovatë orë energji elektrike në vit.

Rreth shtatë vjet më parë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte paraqitur një projekt përmes të cilit synonte që të mbushte me ujë Liqenin e Batllavës nga lumi Kaqandoll. Por, edhe atëherë kjo ishte kundërshtuar nga banorët dhe Komuna e Podujevës.