Një pjesë, që dikur shërbente si fushë futbolli për fëmijët e lagjeve “Kodra e diellit” dhe “Mati 1” në kryeqytet, ka më shumë se 5 vjet që është shndërruar në vendgrumbullim mbeturinash.
Përveç dheut që po hidhet me leje të Komunës nga një kompani ndërtimore, aty po hidhen edhe mbeturina të tjera, duke filluar nga materialet inerte e deri tek ato plastike.
Banorët e kësaj pjese thonë se kanë bërë ankesa në Komunë, por që askush nuk është interesuar për këtë punë, raporton KOHA.
“Kjo situatë është qe 4-5 vjet. Prejse ka filluar kjo industri e ndërtimit, të gjitha mbeturinat prej Lagjes së Spitalit, “Kodrës së diellit” dhe pjesës tjetër të qytetit vinë këtu dhe shkarkohen. Qytetarët kanë bërë ankesë, por askush nuk është interesuar për këtë punë. Do të ishte mirë që të bëhej një vend ku do të hidheshin mbeturinat dhe qytetarët të dinin se ku do t’i hidhnin ato”, ka thënë Shaip Thaçi, banor i lagjes “Mati”.
Edhe banorë tjerë të lagjes, të cilët nuk kanë dashur që të flasin para kamerës, kanë thënë për KOHËN se është kompania “Tregtia” ajo që po e ndërton lagjen “Kodrina”, e cila e ka hedhur dheun në atë pjesë. Thonë se nga dheu janë mbuluar edhe bunarët që i kanë hapur paraardhësit e tyre.
Ndërkohë pronari i kompanisë, Bedri Prishtina, thotë se kanë leje nga Kuvendi Komunal i Prishtinës për ta hedhur dheun, pasi ajo pjesë më pas do të bëhet gjelbërim.
“Kjo është bërë me aprovim nga Kuvendi. E kemi projektin që pasi të përfundojë do të mbillen pemë dhe e gjithë ajo hapësirë do të kthehet në gjelbërim”, ka thënë Prishtina.
Por, për mbeturinat thotë se mund të jene hedhur nga dikush tjetër, por jo nga ta.
KOHA ka disa ditë që ka provuar që të marrë një qëndrim nga Komuna e Prishtinës për këtë, por ajo nuk është përgjigjur.