Arbëri

Banorët e kundërshtojnë operimin e gurthyesit në Shalë – PK-ja ndërhyn pas zjarrvënies

Rreth 200 nënshkrime i kanë mbledhur banorët e fshatit Shalë të Komunës së Lipjanit për ta kundërshtuar nisjen e operimit të një gurthyesi në zonën malore të fshatit.

Ata thonë se gurthyesi do ta degradojë mjedisin dhe do ta ndotë lumin që kalon mes fshatit.

Ky operator deri më 2025 ka licencë për operim nga ministritë përkatëse. Në vitin 2016 e kishte ndërprerë aktivitetin shkaku i kushteve ekonomike, derisa tani ka vendosur që ta vazhdojë atë.

E, mbrëmjen e së martës, persona ende të paidentifikuar ia kishin vënë flakën makinerisë në pjesën e thellë malore. Kjo ka bërë që Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Komunës të intervenojnë.

Banorët nuk kanë dashur të flasin për shkak të afërsisë me pronarët e gurthyesit, por KOHA e ka siguruar peticionin e tyre.

Imer Rrustemi, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit, ka thënë se gurthyesi i plotëson kriteret ligjore për operim.

“Së bashku me inspektorë kemi dalë në vend të ngjarjes lidhur me një ankesë të qytetarëve, kemi dalë në vend të ngjarjes dhe kemi shikuar biznesin për të cilin është fjala. Inspektorati ka konstatuar se kjo kompani, ky gurthyes për të cilin bëhet fjalë, posedon licencën nga ministria, është i licencuar me të gjitha dokumentet komplete”, thotë Rrustemi.

Sipas Rrustemit, Inspektorati do ta monitorojë në vazhdimësi këtë operator, në mënyrë që të mos degradohet ambienti.

“Obligues janë që ta kthejnë në gjendjen e mëparshme, ta gjelbërojnë pjesën të cilën e degradojnë, mirëpo për ato faza është organi kompetent i përcjellë nga ministria, kështu që këta duhet t’i përmbahen gjithsesi, përndryshe do t’u tërhiqet licenca”, deklaron ai.

Ndërkaq, pronari i gurthyesit, Feim Hoxha, ka kërkuar nga Policia zbardhjen e rastit të zjarrvënies.

“Pa u rrethakuar vendi nuk mund të bëhen minime dhe tash kemi filluar duke e bërë rrethekimin e vendit, mirëpo ka ndodhur një ekses i vogël këtu, jemi duke pritur nga organet e Policisë që ta zgjidhin këtë problem, për momentin të pajisur jemi me të gjitha dokumentet”, tha Hoxha.

Hoxha ka bërë me dije se Policia e Kosovës e ka intervistuar edhe pronarin e makinerisë së djegur me qëllim që të zbardhet sa më shpejt rasti.

Ndërkohë, Policia e Kosovës gjatë së martës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj ngjarjeje.