Banorët e fshatit Kraishtë të Komunës së Lipjanit po ankohen se prej fillimit të vitit po përballen me mungesë të mjekut në Ambulancën e Mjekësisë Familjare. Sipas banorëve, komuna duhet të angazhohet me urgjencë për ta zëvendësuar mungesën e mjekut familjar të cilit komuna ia kishte lejuar të marrë pushim pa pagesë në kohë pandemie.
Avni Bajrami, banor i këtij fshati ka thënë se është shqetësuese të mbesin banorët pa shërbime mjekësore në kohë pandemie, ndërkaq lëvizja e pacientëve drejt institucioneve të tjera shëndetësore paraqet rrezik më të madh për përhapje të pandemisë.
“Shqetësimet tona janë që fshati ka rreth 1500 banorë dhe këta kërkojnë çdo ditë që të kenë shërbimin mjekësor dhe duke marrë parasysh faktin që gjendemi në pandemi atëherë kjo e vështirëson edhe më shumë gjendjen për arsyeje se banorëve u bije që të lëvizin nga Kraishta në drejtim të Lipjanit që është mbingarkesë edhe për vetë QKMF-në në Lipjan”, ka thënë Bajrami.
Ndërkaq banori tjetër Njazi Peja, ka thënë se sipas vendimit të Qeverisë, mjekëve nuk u lejohet të marrin pushim në kohë të pandemisë.
“Kemi bërë kërkesa mirëpo vetë ekzekutivi i komunës apo drejtoria e Shëndetësisë duhet të jetë e vetëdijshme që të zëvendësohet edhe nëse ka marrë atë vendim që ta dërgoi një mjek në pushim, është dashur ta zëvendësoi atë mjek menjëherë para se të shkoi ai mjek në pushim, dhe jo që nga 1 janari kjo zonë të jetë pa mjek kujdestar apo mjek familjar”, ka thënë Peja.
Në anën tjetër, Merita Bytyqi, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Lipjanit nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, është zotuar se që nga fillimi i javës së ardhshme, do ta dërgojnë një mjek familjar në këtë ambulancë i cili prej datës 1 janar është në pushim pa pagesë duke iu lejuar pushimi për avancsim profesional.