Banorët e Janjevës së Lipjanit po përballen me telashe sa i përket sigurimit të ujit të pijshëm. Ata thonë se gjatë sezonit veror e gjithë rrjedha e furnizimit është ndërprerë, derisa kompania përgjegjëse nuk po u bën zgjidhje
Me mungesë të ujit të pijshëm po përballen prej vitesh banorët e Janjevës së Lipjanit që furnizohen nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”.
Ata thonë se rrjeti i ujësjellësit, i vendosur rreth 50 vjet më parë, është stërvjetruar dhe se situata me furnizim rëndohet më së shumti gjatë sezonit veror.
Një burim i vogël natyror, të cilin e shfrytëzojnë, nuk u mjafton as për ujë të pijshëm.
Shkaku i pozitës gjeografike banorët nuk mund të hapin as puse nëpër oborre.
Përfaqësuesit i fshatit, Behxhet Kongjeli, ka thënë se disa herë ka bërë kërkesa zyrtare në KRU “Prishtina” për çështjen e ujit, por ato nuk po shqyrtohen.
“Pengesa është prej Lipjanit, që nuk po mund të furnizohet rezervari i ujit, prandaj edhe kemi vështirësi këtu dhe kemi ankesa të banorëve. Këtu ujë nuk kemi pothuajse qe 30 vjet. Në vitet ‘90 na e patën ndalur krejt pushteti i atëhershëm. Pas luftës janë munduar të bëjnë disa investime për furnizim të ujit, mirëpo nuk ka pasur sukses”, ka thënë ai.
Me telashe të ujit po përballen edhe dy anëtarët e moshuar të familjes Xhuriq, që jetojnë të vetëm në këtë shtëpi. Ata për çdo ditë e shfrytëzojnë këtë burim natyror për ujë të pijshëm.
“Problem kemi me ujë gjatë gjithë kohës. Edhe kur vjen rrjedha e ujit është shumë e vogël, po duhet të qëndrojmë këtu shumë gjatë për ta mbushur një shishe me ujë. Prandaj, probleme të mëdha kemi për ujë”, ka thënë Sanisava Xhuriq.
“Nuk e di se çfarë të them për këtë çështje. Ujë nuk kemi, po marrim në këtë burim natyror sa për të pirë. Me mungesë të ujit ballafaqohemi gjatë gjithë sezonit veror”, ka shtuar Arton Gllasnoviq.
Banori tjetër, Din Kryeziu, tregon për pasojat që po shkakton mungesa e ujit.
“Bukën e gjejmë disi, por ujin nuk mund ta gjejmë. Janjeva ka hyrje, por nuk ka dalje si vendbanim. Më tepër nuk kemi çka të flasim, katastrofë jemi, edhe njerëzit janë duke ikur. Këtu te lagjja jonë kanë ikur 10 familje, shkaku i mungesës së ujit. Po ashtu, edhe djemtë më kanë ikur”, ka thënë Kryeziu.
Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në Janjevë.