Arbëri

Banorët e Gërlicës së Ferizajt përballen me vërshime sa herë që ka të reshura të shiut

Banorët e Gërlicës së Ferizajt vazhdojnë të përballen me vërshime sa herë që ka të reshura të shiut. Ata prej kohësh po kërkojnë nga komuna realizimin e një projekti për hapjen e kanaleve kulluese.

Dëmet më të mëdha në këtë fshat po shkaktohen nëpër oborre të shtëpive dhe në parcela bujqësore të fshatit. Me telashe të tilla banorët janë përballur edhe gjatë mbrëmjes të së martës derisa ujërat kanë vërshuar oborret e shtëpive të banimit dhe disa parcela të mbjella me kultura të grurit. Përfaqësuesi i këtij fshati Xhafer Berisha, ka thënë se disa lagje të fshatit shpeshherë po përballen me vërshime sa herë që ka të reshura të shiut.

“Kemi pasur telashe edhe gjatë punimit të autostradës derisa është hedhur shumë zhavorr në disa parcela, ndërkohë ujërat po depërtojnë në disa lagje e më së shumti nëpër parcela bujqësore. I kemi ftuar edhe organet komunale të cilat kanë angazhuar kompanitë për pastrimin e kanaleve kulluese, ndërkohë gjatë ditës ujërat janë duke u shkarkuar nga parcelat bujqësore. Dëmet janë mjaftë të mëdha, andaj besojmë se komuna do të dalë në terren për evidentimin e tyre”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komunës së Ferizajt Selim Marevci, ka thënë për KOHEN se pas kërkesave të banorëve në këtë fshat kanë intervenuar dhe po punohet për hapjen e disa kanaleve kulluese të ujërave.

“Fillimisht jemi duke e shkarkuar ujin nëpër oborre dhe parcela bujqësore e ndërkohë ekipet e komunës do të dalin në terren për konstatim të dëmeve. Mirëpo sipas informacioneve më së shumti aty ka dëme në disa parcela bujqësore”, ka thënë shkurt Marevci.