Banorët e fshatit Bujan të Komunës së Lipjanit, prej vitesh po përballen me telashe në rrjetin e energjisë elektrike. Përveç ndërprerjeve të rrymës ata po përballen edhe me cilësi të dobët të energjisë e cila po shkakton defekte të vazhdueshme në pajisje të amvisërisë.
Ky fshat me rreth 200 familje së fundmi ka deponuar edhe një peticion në zyrët e KEDS-it me qëllim që ky institucion të marrë vendim për vendosjen e një trafoje të re të energjisë. Sipas banorëve, ky rrjet i energjisë elektrike furnizon rreth 20 fshatra, andaj energjia elektrike është shumë e dobët.
Në peticionin e banorëve thuhet se banorët kanë telashe me furnizim të rrymës derisa kërkojnë të vendoset një trafo e re në njërën pjesë të fshatit.
“Banorët e fshatit Bujan kemi vështirësi me rrymë e cila është shumë e dobët pasi që fshati ka 200 shtëpi banimi dhe posedojmë vetëm një trafo. Kërkojmë nga organet përgjegjëse të gjendet një zgjidhje dhe të vendoset edhe një trafo në rrugën “Nuhi Buja” e cila mund ta furnizoi pjesën tjetër të fshatit”, thuhet midis të tjerash në peticion.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, nuk i është përgjigjur thirrjeve të KOHES rreth kësaj çështje.
Por burime brenda KEDS-it kanë thënë se “në këtë fshat ashtu sikur edhe në disa fshatra të tjera të Lipjanit janë bërë investime të shumta në ndërrimin e shtyllave elektrike duke i vendosur nga betoni, ndërkohë menaxhmenti i shikon mundësitë për investime në trafo nëse është e nevojshme”.
Ndërkaq, Valdet Buja, banor nga ky fshat i cili njëherësh ishte iniciator i peticionit, ka thënë se vendosja e një trafoje është e domosdoshme derisa rryma e dobët po shkakton defekte në pajisje të amvisërisë.
Sipas tij, kërkesat e banorëve nuk po shqyrtohen nga KEDS-i, andaj kësaj here kanë deponuar edhe peticion.
“Peticionin tashmë e kemi dorëzuar dhe po presim ndonjë përgjigje nga KEDS-i për investime pasi që ne të gjithë jemi taksapagues të rregullt të energjisë elektrike. Pra, rryma e dobët po paraqet defekte në paisje të amvisërisë, andaj është e domosdoshme të vendoset edhe një trafo e re brenda në fshat”, ka thënë Buja.
