Banorët e fshatit Bibaj të Komunës së Ferizajt prej disa muajsh po përballen me kundërmim nga rrjeti i kanalizimit, ndërsa gypat me gjatësi prej 800 metrash janë bllokuar. Askush nuk ka intervenuar për sanimin e defekteve.
Ujërat e zeza, që tashmë kanë depërtuar mbi sipërfaqen e tokës, po e vështirësojnë jetesën e rreth 20 familjeve në këtë fshat.
Jashar Ibrahimi, banor i fshatit, ka thënë se më të rrezikuarit janë fëmijët derisa shkojnë dhe vijnë nga shkolla.
“Kjo rrugë me qindra metra po mbulohet vazhdimisht me ujëra të zeza, ndërkohë fëmijët po kalojnë vazhdimisht andej, ndërkohë rrobat e tyre po zhyten vazhdimisht. Këtë shqetësim e kam paraqitur në Komunë dhe kam marrë premtime se do të rregullohet, por prej disa muajsh nuk ka lëvizur asgjë konkrete. Ndërkaq rreth 20 familje kemi telashe të mëdha me kundërmim”, është ankuar Ibrahimi.
Sipas tij, banorët kanë bërë kërkesa edhe te kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia”, dhe të ajo e ujësjellësit “Bifurkacioni”, mirëpo nuk kanë gjetur mirëkuptim.
“Në këto kompani më kanë thënë se nuk jemi kompetent për ta menaxhuar kanalizimin në këtë fshat dhe nuk kemi marrë mbështetje. Prandaj kërkojmë edhe një herë nga Komuna që ta ketë parasysh gjendjen tonë dhe të intervenojë për sanimin e këtij defekti në rrjetin e kanalizimit”, është ankuar Ibrahimi.
Ndërkaq, Naser Beqiri, kuvendar nga radhët e LVV-së në Ferizaj, ka thënë se këtë çështje e ka ngritur si shqetësim në Komunë por nuk ka marrë përgjigje.
“Rrjedha e ujërave të zeza nuk paraqet telashe vetëm në Bibaj, por edhe në fshatin e Vjetër dhe në disa fshatra të tjera si pasojë e mosmenaxhimit të rrjetit. Ne si kuvendarë kemi kërkuar që të kontraktohet një kompani për menaxhim të këtyre problemeve sepse nuk është rasti i vetëm i banorëve që paraqesin ankesa në Komunë”, ka thënë midis të tjerash Beqiri.
Në anën tjetër Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, gjatë së martës nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë një deklaratë lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, javë më parë Halili për kohën pati sqaruar se Komuna ka telashe me menaxhim të rrjeteve të kanalizimit, derisa banorët po hedhin mbeturina në rrjet, madje në disa raste kanë gjetur edhe batanije.
“Ne gjithmonë dalim në terren pas kërkesave të qytetarëve dhe intervenojmë me kompaninë e ujësjellësit “Bifurkacioni”, por në ato lokalitete ku nuk menaxhohet ujësjellësi, atëherë kompania nuk i kryen shërbimet e mirëmbajtjes së kanalizimit. Ndryshe ne jemi në procedura për të intervenuar në disa lokalitete përmes kompanive që kontraktohen nga Komuna. Pra së shpejti secila kërkesë dhe ankesë e qytetarëve do të shqyrtohet dhe nuk do të ketë hapësirë për shqetësime”, pati thënë Halili.