Arbëri

Banorët e dy fshatrave në Lipjan ankohen për mospastrim të shportave statike

Banorët e fshatrave Gadime e Epërme dhe Gadime e Poshtme në Lipjan prej disa muajsh po përballen me mungesë të shërbimeve për bartjen e mbeturinave, ndërsa shportat statike nuk po pastrohen nga askush. Për këto shërbime shtesë, kompania “Pastrimi” në Lipjan nuk është paguar nga komuna.

Kjo çështje ka nxitur debate edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal derisa kuvendarët që vijnë nga këto lokalitete kanë kritikuar institucionet për mosofrim të shërbimeve për qytetarët.

Fadil Spahiu, asamblist i pavarur në Lipjan, ka thënë se komuna duhet të angazhohet së bashku me ndonjë kompani për t’i pastruar shportat statike të fshatrave. Sipas tij, rreth kësaj çështje ka pasur reagime të vazhdueshme nga banorët.

“Banorët e fshatit Gadime e Epërme dhe Gadime e Ulët kanë bërë kërkesë që të kontraktohet ndonjë kompani nëse nuk është kontraktuar deri më tani për bartjen e mbeturinave nga shportat statike të vendosura nga Komuna nëpër rrugët e fshatrave. Këto shporta vazhdimisht janë të stërmbushur me mbeturina, prandaj është urgjente që të pastrohen ato në kohën sa më të shpejtë”, ka thënë Spahiu.

Ndërkaq, Argjend Tasholli, anëtar i kryesisë së PDK-së, njëherësh banor i fshatit Gadime e Poshtme ka thënë se komuna duhet të angazhohet për gjetjen e mundësive për ta kontraktuar ndonjë kompani për pastrimin e shportave statike.

“Është shqetësuese se banorët e këtyre dy lokaliteteve po përballen me mungesë të shërbimit për pastrimin e shportave statike. Po thuajse të gjithë janë taksapagues të rregullt për pastrim të mbeturinave, andaj pse mos të pastrohen edhe shportat statike të cilat janë vendosur nga Komuna. Banorët kanë kërkuar edhe në komunë që ky shërbim të kontraktohet, mirëpo deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Tasholli.

Në anën tjetër nënkryetari i Lipjanit, Diamant Bytyqi, në mbledhjen e fundit të Kuvendit ka dhënë sqarime lidhur me këtë çështje.

“Çështja e mbeturinave është kompetencë e kopanisë, por ka edhe kontejner që nuk janë pjesë e kompanisë. Kjo kompani nganjëherë mbeturinat inerte nuk i merr për shkak se kërkojnë pagesa shtesë prej komunës, prandaj shpeshherë në disa fshatra kemi kërkesa të tilla për këtë çështje, por do të kërkojmë nga kompania për menaxhimin e mbeturinave që t’i mbledh edhe ato”, ka thënë Bytyqi.

KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga kompania “Pastrimi” në Lipjan, por drejtori i saj Xhelal Krasniqi, nuk ka qenë i qasshëm.