Arbëri

Banorët e dy fshatrave kërkojnë riparimin e rrugëve pas ndërtimit të hekurudhës

Prej më shumë se një orë është bllokuar rruga kryesore që lidh disa fshatra të Komunës së Lipjanit. Kjo, për shkak se banorët e fshatit Rubovc dhe Koiskë të kësaj komune kanë protestuar kundër dëmtimit të rrugëve lokale nga një kompani që është duke e bërë rehabilitimin e hekurudhës në disa lokalitete. Kërkesë e tyre është lidhja e një marrëveshje me punëkryesin që pas përfundimit të projektit, të riparohen dëmet.

Organizatorët e kësaj proteste kanë thënë se përveç dëmtimit, rruga shpesh edhe bllokohet nga automjetet transportuese dhe se bëhet fjalë për rrugët për ndërtimin e së cilave kanë ndihmuar financiarisht edhe vetë banorët.

“Në qoftë se brenda pesë ditësh nuk na japin një përgjigje do të vazhdojmë me protesta masovikisht. Sot e kemi prej Policisë vetëm 5 persona dhe nuk kemi pasur qare pa e zbatuar, tash e tutje e shohim”, ka deklaruar Hamit Zaskoku, organizator i protestës.

E Zoran Spasiq, thotë se rehabilitimi i Hekurudhës që po bëhet me mjete të rënda transportuese po i dëmton rrugët lokale.

“Për ndërtimin e këtyre rrugëve lokale ne si banor kemi participuar me para tona, andaj ne kërkojmë nga Kompania, Komuna dhe Ministria që pas përfundimit të projektit të hekurudhës, të rikthehen rrugët lokale në gjendjen e më pashme”, ka thënë ai.

Në mbështetje të banorëve ka dalë edhe këshilltari në Kuvendin Komunal që vjen nga fshati Rubovc, Bashkim Budakova.

“Dëmet të cilat janë shkaktuar rrugës që e frekuentojmë për çdo ditë, janë të pa pranueshme për neve si lokacion. Ne nuk jemi që t’i pengojmë punimet në hekurudhë por jemi për atë që dëmet e shkaktuara, çka pas përfundimit të punimeve në hekurudhë, rruga a do të kthehet në gjendjen e mëpasshme apo cila do të jetë ajo”, është shprehur Budakova.

Kastriot Fazlia, punëkryesi i ndërtimit të hekurudhës është zotuar se do t’i realizojë kërkesat e qytetarëve.

“Banorët po ankohen që ne po kalojmë me pajisje të rënda, por me tjera pajisje kjo punë nuk bëhet, i kemi premtuar edhe komunës dhe kemi bërë marrëveshje që çfarëdo që dëmtojmë pasi të kryejmë punën i riparojmë”, ka thënë Fazlia.

Për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë - Hani i Elezit, në vitin 2018 është nënshkruar marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 195.5 milionë euro.