Banorët e disa lokaliteteve në Komunën e Shtimes prej vitesh po kërkojnë nga komuna investime me qëllim të parandalimit të vërshimeve, por kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar asnjëherë.
Madje, ka prej tyre që tashmë kanë iniciuar padi ndaj komunës për shkak të dëmeve që u janë shkaktuar në parcela bujqësore.
Me gjendje më të rëndë nga vërshimet po përballen banorët e lagjes “Çamëria”, “Komandant Kumanova” në shtime dhe banorët e fshatit Gjyrkovc. Ndërkohë, në fshatin Davidovc sa herë që ka të reshura të shiut, bllokohet e gjithë aksi i rrugës “Mihal Grameno”.
Beqir Hoxha, nga fshati Gjyrkovc, ka thënë për KOHËN se tashmë ka iniciuar padi ndaj komunës derisa parcela private e tij me sipërfaqe prej afro 2 hektarësh përgjatë magjistrales Shtime-Lipjan, prej vitesh i është dëmtuar nga vërshimet për të cilat komuna nuk i ka bërë zgjidhje.
“Tek parcelat e mia private përgjatë rrugës regjionale ka qenë i vendosur një gyp me dimensione prej F1000, ndërkohë pasi që janë ndërtuar disa biznese afër është vendosur një gyp F300 i cili është i pa përballueshëm për t’i përcjellur të gjitha ujërat atmosferik. Jam ankuar në komunë, por nuk kanë marrë masa, prandaj kam iniciuar padi ndaj komunës sepse nuk ka arritur ta bën një zgjidhje sepse sa herë që ka të reshura të shiut e gjithë parcelat e mia rreth 2 hektarësh, por ka edhe të tjera në pjesën tjetër që vërshohen nga ujërat”, ka thënë Hoxha.
Ai kërkon nga komuna që t’i shqyrtojnë kërkesat e qytetarëve dhe të bëjnë zgjidhje për parandalimin e vërshimeve.
Ndërkaq, Naser Bytyqi, banor në Lagjen “Çamëria”, ka thënë se sa herë që ka të reshura të shiut, oborret e shtëpive të tyre mbushen me ujë.
“Jemi në hall nga ujërat atmosferik të cilat po depërtojnë në rrjetin e kanalizimit e pastaj po vërshohen oborret e shtëpive tona. Përveç kësaj disa hektar të parcelave bujqësore gjatë të gjitha stinëve po qëndrojnë nën ujë sepse komuna nuk ka bërë zgjidhje për largimin e ujërave atmosferik”, ka thënë Bytyqi.
Ndërkaq, Adem Baliu, banor nga fshati Davidovc ka thënë se disa herë kanë kërkuar nga komuna ta bëjnë një zgjidhje për parandalimin e vërshimeve në lagjen “Mihal Grameno”, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
“Komuna e ka ndërtuar një park afër rrugës sonë “Mihal Grameno”, në të cilën jetojmë mbi 15 familje, ndërkohë në të dyja anët e rrugës është ngritur niveli me zhavorr, kurse rruga ka mbetur nën sipërfaqen e tokës dhe sa herë që ka të reshura të shiut ne bllokohemi dhe nuk mund të kalojmë. Ka pasur raste kur veturat janë dëmtuar nga uji, andaj kërkojmë nga komuna që t’i shqyrtoi ankesat tona dhe të bëhej një zgjidhje”, ka thënë Baliu.
Rreth vërshimeve, është debatuar mjaftë gjatë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Shtime derisa kuvendarët kërkuan zgjidhje institucionale.
Albana Podvorica kuvendare nga radhët e PDK-së, ka thënë se komuna duhet të intervenojë me urgjencë për të hapur kanale kulluese nëpër parcela bujqësore e veçanërisht nëpër vendbanime me qëllim të parandalimit të vërshimeve.
“Nga banorët e fshatit Davidovc kemi pranuar shumë ankesa sepse për shkak të ndërtimit të parkut dhe bizneseve aty, sa herë që ka të reshura të shiut po bllokohet rruga “Mihal Grameno”, prandaj kërkojmë të dimë se a është planifikuar të ndërmerren masa për këto vërshime”, ka thënë midis të tjerash Podvorica.
Në anën tjetër Grejtalb Emini, drejtor për Urbanizëm në komunën e Shtimes në mbledhjen e fundit të KK-së, është zotuar se do të bëhet zgjidhje për të gjithë qytetarët e Komunës me qëllim të parandalimit të vërshimeve.
“Sa i përket parkut në Davidovc aty punimet do të përfundojnë brenda dy muajve, andaj e dimë problemin e rrugës “Mihal Grameno”,që ka ndodhur për shkak të parkut aty. Operatori ekonomik e ka për obligim ta kthej atë çështje në gjendjen e më pashme në momentin që i përfundon punimet. Jam i vetëdijshëm se po mblidhet sa herë që ka reshje të shiut dhe jam në kontakt me banorët aty, andaj besoj se shumë shpejt rregullohet kjo çështje. Po ashtu edhe sa i përket ujërave atmosferik në rrugën “Komandant Kumanova” që rrjedh nga kodra e “Gëshenjave” aty është bllokuar gypi atmosferik dhe shumë shpejtë do ta nënshkruajmë një kontratë të mirëmbajtjes së gypave atmosferik dhe do të zgjidhen këto probleme me ujëra atmosferik”, ka sqaruar Emini.
{gallery}