Arbëri

Banorët e disa fshatrave të Lipjanit vazhdojnë të kërkojnë investime në rrjet të ujësjellësit

Banorët e disa lokaliteteve të Komunës së Lipjanit po vazhdojnë të kërkojnë investime me qëllim të përmirësimit të gjendjes së ujit të pijshëm. Me gjendje më të rëndë shkaku i ndërprerjes së ujit po përballen banorët e Shalës, Janjevës, Baicës, Resinovcit dhe disa lokalitete të tjera.

Në fshatin Janjevë, megjithëse muaj më parë është përmirësuar gjendja e furnizimit, sërish po paraqiten reduktime.

Avni Bikliqi, banor nga Janjeva, ka thënë se aktualisht fshati i tyre furnizohet me ujë vetëm 6 litra për një sekondë gjë që sipas tij është e pa mjaftueshme.

“Furnizimiaktual është i pamjaftueshëm, sidomos për disa lagje në pjesën e epërme. Dy ditë ka ujë, kurse 5 ditë ndërpritet, megjithëse janë bërë investime në këtë drejtim. Ne kemi kërkuar që të rriten kapacitetet në rezervarin e ujit sepse 100 litra nuk mjaftojnë por as 200 litra nuk mjaftojnë. Ne kërkojmë investime në këtë drejtim sepse në Janjevë ka burime të ujit por ka edhe ujëra nëntokësor që janë bërë konstatime”, ka thënë Bikliqi.

Ndërkaq, Qerim Hasani, banor nga fshati Shalë, ka thënë prej vitesh rreth pesë mijë banorë të Shalës po përballen me mungesë të ujit të pijshëm derisa rrjeti është i vendosur që nga paslufta. Sipas tij, në këtë fshat kërkohej të hapen disa puse për ta rritur nivelin e kapaciteteve të ujit dhe të menaxhohet nga kompania e ujësjellësit.

“Rrjetin e ujësjellësit e kemi prej pasluftës por mungon furnizimi me ujë të pijshëm. Banorët jemi ankuar disa herë, mirëpo deri më tash nuk ka investime në këtë drejtim, andaj shkaku i kësaj banorët obligohemi të marrim ujë të pijshëm nëpër burime natyre. Po besoj se me një shumë minimale të buxhetit, komuna mund ta rregullojë këtë çështje”, ka kërkuar ai.

Ramiz Qeriqi ish kuvendar në KK të Lipjanit, ka thënë se bashkëvendësit e tij në fshatin Krojmir po përballen me mungesë të ujit megjithëse disa herë e kishe ngritur zërin rreth kësaj çështje.

“Disa herë sa isha në Kuvend kam kërkuar nga ekzekutivi të bëhen investime jo vetëm për bashkëvendësit në Krojmir, por edhe për lokalitete të tjera sepse për çdo ditë kam pranuar ankesa nga banorët. Investimet në rrjetin ujësjellësit duhet të jenë primare për ekzekutivin e komunës”, ka thënë midis të tjerash Qeriqi.

Në anën tjetër zyra për informim në Komunën e Lipjanit gjatë së mërkurës nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në këto lokalitete.