Granit Rexhepi nga fshati Koshare i Ferizajt për çdo javë vjen në këtë lokacion për të marrë ujë të pijshëm.
Ai tregon se prej vitesh kanë marrë premtime se do të rregullohet çështja e furnizimit të ujit në lokalitetin e tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Vij nga një fshat rreth 10 kilometra larg Ferizajt për t’u furnizu me ujë të pijshëm pasi që ne si fshat e kemi instalimin dhe gypat por uji mungon. Edhe atëherë kur ka është i pa pijshëm. Jemi detyruar që të vijmë me vetura me bidona 10 deri 12 bidonë. E përdorim për pije por edhe për zirje si nevojë esenciale”, tha Rexhepi.
Me të njëjtin problem përballen banorët e fshatit Koshare, Kosinë, Komogllavë dhe disa fshatra të tjera.
Një pjesë e madhe e fshatrave e kanë të vendosur rrjetin e ujësjellësit, por mungon furnizimi.
“Ne marrim ujë gati prej pas luftës për shkak se uji i puseve nuk është i pijshëm. E kemi ujësjellësin por nuk ka ujë të mjaftueshëm dhe vijmë këtu e marrim ujë rregullisht”, tha Fazli Veseli nga fshati Komogllavë.
Kompania e Ujësjellësit “Bifurkacioni” afër Sallës së Sporteve në qytetin e Ferizajt e ka rregulluar një hapësirë, në mënyrë që qytetarët të furnizohen me ujë të pijshëm pa pagesë.
Nazif Asllani, drejtor i kësaj kompanie, ka thënë se kanë hapur disa puse, por do t’i hapë edhe disa të tjera për ta përmirësuar gjendjen me ujë në këto fshatra.
E drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Meriton Hajdini, është zotuar se brenda pak kohësh do të bëjnë zgjidhje për ta.
“Për të ardhmen do të planifikojmë me hapjen e puseve në këto fshatra që të arrijmë kapacitetet e mjaftueshme në mënyrë që qytetarët të jenë ujë të vazhdueshëm. Do të mundohem që të kemi hapje të puseve të reja edhe për fshatin Koshare e Komogllavë, megjithëse kemi bërë hapjen e disa puseve kohëve të fundit në disa lokacione të ndryshme të cilat vazhdojnë ta rrisin kapacitetin e ujit të pijshëm për qytetarët”, thotë Hajdini.
Komuna e Ferizajt është në finalizim e sipër edhe të një fabrike për përpunimin e ujit e cila do t’i furnizojë dhjetëra fshatra me ujë të pijshëm.