Arbëri

Banorët e disa fshatrave të Ferizajt duan nënstacion të policisë

Prej kohësh, banorët e kësaj ane kërkojnë ndërtimin e një nënstacioni të policisë dhe të zjarrfikësve në fshatin Dardani, por kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar asnjëherë. Një kërkesë e tillë është deponuar edhe gjatë kësaj jave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim të rritjes së sigurisë për qytetarët

Përfaqësuesit e fshatrave Zllatar, Dardani, Mirosal dhe Sojevë të Komunës së Ferizajt thonë se janë në hall me shumë raste të vjedhjeve që ndodhin në këtë anë.

Për këtë dhe për ta rritur sigurinë në këto fshatra, ata kanë kërkuar nga MPB-ja hapjen e një nënstacioni të policisë dhe të zjarrfikësve në fshatin Dardani.

Fshati Dardani, si më i madhi, llogaritet një lloj qendre për fshatrat e tjerë.

“Këtu si fshat i madh, si qendër e fshatrave përreth, kemi qarkullim të madh të komunikacionit, por edhe e kemi tregun që zhvillohet të dielën dhe realisht kemi raste të shumta që janë paraqitur si vjedhje të ndryshme në këtë lokacion. Kështu që të gjitha këto na bëjnë që të kërkojmë dhe kemi kërkuar qe disa herë, që këtu të hapet një nënstacion policor, në mënyrë që të rritet niveli i sigurisë për banorët”, ka thënë Fadil Halili, kryetar i fshatit Dardani.

Banorët e kësaj ane, pos stacionit të policisë, kërkojnë edhe një stacion të zjarrfikësve, meqë, sipas tyre, Ferizaj është tepër larg dhe intervenimi nuk mund të bëhet me kohë.

“Bashkangjitur kërkesës për stacion të policisë e kemi bërë edhe për një stacion të zjarrfikësve, ngase këto fshatra janë shumë larg nga Ferizaj dhe nuk mund të na ofrojnë shërbime asnjëherë në raste emergjente, vijnë vetëm pasi dëmtohet gjithçka nga zjarri”, ka thënë Xhevat Sallahu, kryetar i fshatit Zllatar.

Në Stacionin e Policisë në Ferizaj kanë deklaruar se në vitin 2016 kanë hartuar një propozim-projekt për hapjen e 3 nënstacioneve të policisë, duke u bazuar në numrin e madh të qytetarëve, por kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar ende.

“Është një nevojë që edhe ata qytetarë ta kenë sa më afër shërbimin e Policisë së Kosovës dhe do të jetë lehtësim edhe për stacionin e Ferizajt si dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve të zyrtarëve policorë ndaj atyre fshatarëve (banorëve), sepse gjithherë do të jenë sa më afër tyre, për t’iu përgjigjur kur eventualisht ata kanë nevojë”, është shprehur Basri Shabani, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë në Ferizaj.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështjeje.