Arbëri

Banorët e Brusit tash 11 vjet kërkojnë shtrimin e rrugëve me zhavorr

Banorët e fshatit Brus të Komunës së Lipjanit prej më shumë se dhjetë vjetësh po kërkojnë nga institucionet komunale të shtrohen me zhavorr disa rrugë nëpër lagje.

Banorët e këtij lokaliteti malor janë ankuar se si pasojë e mungesës së infrastrukturës rrugore, shumica e familjeve e kanë boshatisur fshatin.

Xhavit Gashi thotë se që nga viti 2011 rreth dhjetë ankesa dhe kërkesa zyrtare i kanë dërguar në Komunë, por deri më tash nuk janë marrë parasysh.

“Unë kam një kërkesë pa i përsëritur ato të kaluarat, që do të thotë se i bëj apel kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, që kësaj radhe të na zhavorron rrugën me një gjatësi prej një mijë metrash, prej shkollës fillore e deri te varrezat e fshatit. Këtu kemi nevojë edhe dy lagje me i shtru me zhavorr, por kësaj radhe i lutem të na ndihmojë sepse nuk kemi rrugëdalje tjetër”, ka deklaruar Xhavit Gashi, banor i fshatit Brus.

Edhe Islam Gashi thotë se të gjithë po largohen nga fshati si pasojë e mungesës së infrastrukturës.

“Rrugë nuk kemi hiç, pothuajse hiç, rryma, shtyllat janë kalbur dhe janë rrëzuar gati krejt. Banorët shumica vijnë këtu e punojnë tokën dhe ikin, sepse këtu dimrit nuk ke si të jetosh. Kështu që shumë vështirë është, kushtet e jetesës janë shumë të dobëta”, ka shtuar Islam Gashi.

Komuna e Lipjanit prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështjeje.

Ndërkaq në një përgjigje me shkrim, të cilën e kanë pranuar banorët e Brusit nga Komuna e Lipjanit, më 19 mars të këtij viti, mes të tjerash, thuhet se: “Ju njoftojmë se në bashkëpunim me drejtorët përkatës të Komunës do të angazhohemi për shqyrtimin e mundësive buxhetore për përfshirjen e projektit për zhavorrimin e asaj rruge në planifikimet e ardhshme buxhetore me qëllim të realizimit të kërkesës suaj...”.