Banorët e fshatit Brus të Komunës së Lipjanit kanë nisur t’i shtrojnë me zhavorr rrugët dhe t’i rregullojnë varrezat.
Për këto punime banorët kanë grumbulluar rreth dhjetë mijë euro, por ato nuk po u mjaftojnë për vazhdimin e projekteve që kanë nisur.
Xhavit Gashi ka thënë se kërkesat zyrtare janë refuzuar nga komuna, ndërkohë shkaku i mungesës së infrastrukturës rrugore edhe banorët po e boshatisin fshatin.
“Jo një herë, por 100 herë kam bërë kërkesë, çdo kërkesë e kam aty. Madje, edhe resorëve të tjerë iu kemi drejtuar, si drejtorit për Shërbime Publike dhe kryesuesit të Kuvendit drejtpërdrejt edhe për varreza. Tri herë iu kam drejtuar në vitet 2020, 2021 dhe 2022, me fakte dhe dëshmi, por diçka nuk po e do. Nuk e di, shpeshherë i bëj pyetje vetvetes se a i takojmë Kosovës unë dhe bashkëfshatarët e mi”, ka thënë Gashi.
Islam Gashi ka kërkuar nga komuna të gjejë mundësi financiare për ta përkrahur të paktën projektin për rregullimin e rreth 150 varrezave të hershme të fshatit.
“Komuna asnjë gjë hiç, as bile nuk ka dashur të dëgjojë për këtë punë, por pas sotit nuk e di çka bëhet. Ky projekt është bërë me vetë kontributin tonë, na ka ndihmuar kush ka pasur mundësi të bëjë rahmet”, u shpreh Islam Gashi.
Zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Hyra Bytyçi, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka thënë se në këtë fshat kanë asfaltuar disa rrugë.
“Sa i përket çështjes së varrezave, komuna e ka në kornizën buxhetore të paraparë ndërtimin e rrethojave dhe të parkingjeve, dhe besojmë që gjatë vitit do të shohim mundësitë të investojmë edhe në varreza të fshatrave”, ka thënë ai.
Rreth mungesës së investimeve në fshatin Brus është debatuar disa herë edhe në mbledhjet e fundit të Kuvendit Komunal.