Arbëri

Banorët e Begracës ndërtuan vetë ndriçimin publik, kritikojnë KEDS-in se s’po ua bën kyçjen

Banorët e fshatit Begracë të Komunës së Kaçanikut me vetëfinancim në vlerë prej afro 2 mijë eurosh e kanë ndërtuar ndriçimin publik.

Mirëpo që nga muaji qershor KEDS-si nuk ua ka bërë kyçjen, megjithëse Komuna ua kishte dhënë pëlqimin banorëve që ta realizonin këtë projekt sipas standardeve.

Shkumbim Luzha, banor i këtij fshati, ka thënë se projekti është realizuar nga një kompani profesionale, raporton KOHA.

Në Komunën e Kaçanikut kanë thënë se banorët e Begracës në mënyrë profesionale, sipas kritereve, e kanë ndërtuar ndriçimin publik, mirëpo është përgjegjësi e KEDS-it ta bëjë kyçjen në njehsor, ndërkohë Komuna i ka bërë edhe kërkesë zyrtare këtij institucioni, por nuk kanë marrë përgjigje.

KOHA ka kërkuar përgjigje në KEDS-së për këtë problem dhe zëdhënësi i KEDS-it ka kërkuar kohë për përgjigje, ndërsa një ditë më vonë ka treguar se problemi është zgjidhur.

Edhe banorët kanë thënë se pas interesimit të KOHËS punonjësit e KEDS-it kanë kyçur ndriçimin.

Në anën tjetër, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, përmes një përgjigjeje të shkurtër ka thënë se kjo çështje tashmë është rregulluar.