Rreth 70 nxënës të lagjes “Akllapi” në Lipjan prej disa muajsh kanë mbetur pa transport publik për vajtje-ardhje nga shkolla. Ata po ecin rreth 2 kilometra në këmbë për të shkuar në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan.
Transporti i tyre nga komuna është ndërprerë për shkak se muaj më parë pas përfundimit të procedurave komunale ishte adresuar një ankesë nga një operator tjetër në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Për bartjen e nxënësve me distancë më pak se 3.5 kilometra Komuna nuk e kishte obligim ligjor, mirëpo një praktikë të tillë kjo komunë po e realizon edhe në disa lokalitete të tjera, derisa zyrtarët komunal kanë thënë se është e nevojshme bartja e nxënësve në secilin lokalitet.
Besim Bytyqi, prindër i dy fëmijëve në lagjen “Akllapi”, ka thënë se është shqetësuese që mbi 70 fëmijëve u është ndërprerë transporti, ndërkohë në komunë nuk kanë marrë asnjë informacion rreth kësaj çështje.
“Ka shumë prindër që janë të punësuar dhe duhet t’i lënë fëmijët e tyre të ecin me 2 kilometra në këmbë për të shkuar në shkollë, andaj telashet më të mëdha janë gjatë sezonit dimëror derisa rruga nëpër të cilën kthehen fëmijët nga shkolla është e pa ndriçuar. Fëmijët gjithmonë janë të rrezikuar, prandaj kemi bërë ankesa edhe në komunë por nuk e dimë se pse është ndërpre transporti i fëmijëve. Pra në këtë lagje i kemi rreth 70 nxënës të cilët për çdo ditë lëvizin në këmbë deri në shkollë”, është ankuar Bytyqi.
Rreth kësaj çështje, shqetësime ka pasur edhe nga kuvendarët në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Lipjan duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë për çështjen e transportit të nxënësve në ato zona ku mungojnë këto shërbime.
Besiana Syla, kuvendare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se fëmijët e kësaj lagje dhe të lagjeve tjera e meritojnë të kenë shërbime komunale, andaj komuna duhet të angazhohej rreth transportit të nxënësve.
“Disa nga banorët e lagjes së “Akllapit” janë takuar me kryetarin e komunës dhe kanë marrë vetëm premtime verbale por deri më tash nuk ka pasur ndonjë veprim konkret. I lutemi krerëve komunal që të gjejnë një zgjidhje për bartjen e këtyre nxënësve sepse edhe ngarkesa e qantave po ua bën më të vështirë lëvizjen e tyre në këmbë”, ka thënë Syla. Sipas saj, kjo është ideale për
Komunën që të kontraktoi një kompani për një afat të caktuar me qëllim që nxënësit
mos të lëvizin në këmbë.
Në anën tjetër, Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Komunën e Lipjanit, ka sqaruar se
ka pasur telashe mes dy operatorëve ekonomik për bartjen e nxënësve të lagjes
“Akllapi”, andaj sipas tij njëra nga kompanitë ka adresuar ankesë në OSHP.
“Komuna e ka obligim që t’i bartë fëmijët nëse ata e kanë një distancë të caktuar larg shkollës, ndërkaq në lagjen “Akllapi” sipas ligjit nuk e kemi pasur obligim, por prapë se prapë për hatër të fëmijëve i kemi bartur ata. Së fundi ka pasur telashe mes dy operatorëve dhe ende lënda e tyre është në OSHP, por po besoj se së shpejti do të zgjidhet kjo çështje. Pra sa i përket bartjes së nxënësve po thuajse në secilin lokalitet ne e praktikojmë një gjë të tillë edhe nëse ata nxënës janë më afër shkollave sipas distancës së përcaktuar me ligj. Pra, këto veprime i kemi bërë për hir të nxënësve që mos të ecin
të vetëm nëpër rrugë”, ka thënë Hasani.
Ai ka sqaruar se komuna e Lipjanit ka gjithsejtë 15 kontrata të lidhura me operator ekonomik për bartjen e nxënësve nëpër lokalitete, andaj sipas tij një gjë e tillë do të vazhdon edhe në të ardhmen.
“Ne ua kemi shpjeguar edhe banorëve të lagjes së “Akllapit” se shumë shpejt do ta gjejmë një zgjidhje për bartjen e atyre nxënësve, megjithëse e shpjegova se sipas ligjit në fuqi nuk e kemi obligim sepse ata i kanë më pak se 2 kilometra deri në shkollë. Pra, jemi duke i shikuar mundësitë që brenda një të ardhme sa më të afërt ta bëjmë një zgjidhje edhe për këta nxënës”, ka shtuar Hasani.