Disa banorë të lagjes Qendër në Prishtinë kanë protestuar duke kërkuar heqjen e “Prishtina Parkingut” në rrugën “Simon Shiroka”. Për shkak të tunelit të ngushtë që gjendet si urë lidhëse me rrugën “Rexhep Luci”, sipas banorëve po krijohet çdo herë tollovi prej veturave e kësisoj po e kanë shumë të vështirë qasjen në lagjen e tyre.
Violeta Hasani, kryetare e komitetit për siguri në zonën “Qendër”, ka thënë se me kërkesë të banorëve të kësaj pjese janë duke kërkuar heqjen e “Prishtina Parkingut” dhe vendosjen e një laure ku të drejtë hyrje të kenë vetëm banorët rezident.
“Me kërkesë të banorëve është thirrur protesta. Është situatë e rënduar sepse mund të vijë edhe në ndonjë vrasje pasi ka tepër konflikte brenda lagjes për shkak të kësaj hyrje në tunel. Situata është rënduar më shumë se më parë pasi tashmë këtu po parkohen edhe banorët e rrugës “Rexhep Luci” prej që ajo rrugë është kthyer në shesh”, ka thënë Hasani.
Sipas Hasanit, komuna nuk po merr asnjë hap në këtë drejtim.
“Do të kishte qenë mirë që hyrja e dalja të praktikohet në një pjesë tjetër më poshtë, siç ka qenë më parë e kështu ka qenë edhe premtimi i Komunës. Ky reagim sipas Hasanit vije pasi komuna nuk po pranon takime nga komuniteti në lidhje me këtë çështje”, është shprehur ajo.
Luan Dizdari, i cili është banor në këtë pjesë, ka thënë se zgjidhja e vetme është largimi i “Prishtina Parkingut” dhe vendosja e një laure.
“Me tavolinë po kemi problem, duhet me pritë nga 2-3 orë ndonjëherë. Zgjidhja e vetme është me e heq ‘Prishtina Parkingun’ këtu sepse po parkohen prej gjithkah. Policia e komunitetit më shumë nuk vijnë se që vijnë. Gjatë gjithë kohës banorët bëhen nervoz”, ka thënë Dizdari.
I pyetur nga KOHA, ud. kryeshefi i ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Amir Kozmaqi ka thënë se ata e monitorojnë gjatë gjithë kohës këtë pjesë dhe mundohen të bëjnë rregull në vend parkingje. Ndërsa sa i përket vendosjes së laurës, ai ka thënë se me vendim të Gjykatës Supreme ata nuk kanë më të drejtë të vendosin laura në asnjë lagje.