Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë thirrje për kujdes nga qytetarët ndaj siç thuhet një fushate mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve.
Në thirrjen e BQK-së thuhet se mesazhet paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga bankat komerciale, me qëllim mashtrimin dhe vjedhjen e të dhënave financiare.
Këto mesazhe thuhet se mund të përmbajnë lidhje të rreme dhe kërkesa urgjente për veprim.
“Për të mbrojtur sigurinë tuaj online, BQK-ja ju këshillon të veproni si më poshtë: Ruani me kujdes të dhënat e kartelës suaj dhe mos i ndani kurrë ato përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar; Mos hapni lidhje të dyshimta dhe mos klikoni në mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm; Mos kryeni pagesa dhe mos vendosni të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS; Përdorni vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave dhe shmangni regjistrimin e të dhënave të kartelës në platforma të pasigurta; Aktivizoni njoftimet me SMS ose aplikacion për çdo transaksion dhe kontrolloni rregullisht historinë e pagesave dhe transferave; dhe Raportoni menjëherë çdo mesazh të dyshimtë te banka ose institucioni juaj financiar”, thuhet në thirrjen e BQK-së.
Ditë më parë Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët për qarkullimin e disa mesazheve mashtruese.
Policia ka thënë se nëpërmjet SMS-ave po pretendohet rrejshëm për gjoba trafiku dhe kinse janë dërguar nga Autoritetet e Trafikut të Kosovës.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos hapin vegëzat, për të cilat kanë thënë se janë mashtrim.