Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë nga Beogradi se e ardhmja nuk është izolimi dhe bunkerizimi, por liria e lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve e shërbimeve. Ai ka kritikuar sërish Kosovën për mospjesëmarrje, duke thënë se për të marrë kërkimfaljen dhe njohjen nga Serbia duhet bashkëngjitur edhe nismës “Ballkani i hapur”
Kërkimfalja për krimet e luftës dhe marrja e njohjes nga Serbia kalojnë nëpërmjet nismave rajonale sikurse është “Ballkani i hapur”.
Ky është qëndrimi që ka shpalosur njëri ndër themeluesit e iniciativës në takimin e Beogradit. Kosova që refuzon të marrë pjesë ishte sërish objekt diskutimi.
Nikoqiri i takimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu i Brukselit dhe “Ballkani i hapur” janë dy çështje të ndryshme.
“Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por ‘Ballkani i hapur’ është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar e mirëpresim. Ne ua kemi hapur dyert si Prishtinës, Podgoricës e Sarajevës, por nuk më shkon në mendje që t’i arsyetohem dikujt, qoftë Bashkimit Evropian apo dikujt nga rajoni. A e dini sa punë kemi përpara ne tri shtetet, por a e dini sa përfitime do të kemi kur ta implementojmë këtë marrëveshje”, ka thënë Vuçiq.
Ndërkaq për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ftesa e hapur e Vuçiqit është test për Prishtinën që t’i bashkohet nismës së tri shteteve. Sipas tij, Kosova nuk duhet të kapet për faljen dhe njohjen nga Serbia, pasi që ato vijnë krejt në fund të procesit.
“Sot presidenti i Serbisë më hapur se asnjëherë e tha se mirëpret Kosovën njësoj si edhe dy vendet e tjera në këtë nismë, që do të thotë se kjo deklaratë testohet vetëm nëse Kosova vjen në nismë, pra nëse do të ketë pengesë apo jo. Kjo është diçka që e kam thënë qysh në krye të herës”, ka thënë Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët shqiptarë.
“Për t’iu treguar atyre që më thonë tradhtar, falja duhet të vijë në fund jo në fillim. Falja e Gjermanisë ka ardhur më 1969, pasi me Francën kanë arritur paqen dhe kanë vepruar saktësisht siç po bëjmë ne në Ballkan. Nëse duam ta bëjmë Serbinë që të kërkojë falje duhet të kemi strategji si të shkohet tek njohja e pastaj tek falja. Sepse o kështu si them unë, o s’ka ndryshe, nuk shkon. Vetëm në luftë shkohet kështu. Por Kosova e fitoi luftën, shqiptarët kanë fituar luftën. Këta ku jemi sot, pra Serbia, e kanë humbur. Tani Kosova duhet ta fitojë paqen. Ky është fakti i dhimbshëm, por i vërtetë”.
Rama ka shtuar se nuk e ka problem nëse ia veshin epitetin e tradhtarit.
“Kush është zgjidhja? Edi Rama është tradhtari. Në rregull. Nëse kjo e lehtëson ekonominë, tregtinë, apo e zgjidh çështjen e Kosovës jam gati, pra pranoj edhe ta mbaj këtë damkë nëse e gjithë çështja do të zgjidhet duke thënë Edi Rama është tradhtar”, ka potencuar ai.
Pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, Maqedonia e Veriut është përfaqësuar nga zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Nikola Dimitrov.
“Bashkëpunimi rajonal është zgjidhje e guximshme, e duhur dhe evropiane. Në Maqedoninë e Veriut situata politike nuk është e lehtë, por megjithatë nuk mund t’ia lejojmë vetes të mungojmë në një iniciativë kaq të rëndësishme. Sa më mirë që bashkëpunojmë në rajon, do të mund t’i bindim të tjerët që nuk jemi rajon i problemeve, por që japim zgjidhje”, ka potencuar Dimitrov.
Temë diskutimi në takimin e së enjtes kanë qenë çështjet ekonomike.
Kryeministri Rama ka paralajmëruar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm do t’u hapë kufirin mallrave serbe. Sipas tij, numri i turistëve serbë në Shqipëri është rritur për 63 për qind, e nga Maqedonia e Veriut për 27 për qind.
Rama e ka marrë shembull Serbinë për tërheqjen e investitorëve.
“Sot për dallim nga takimet e tjera, fokusi ishte për qytetarët, bizneset, punonjësit, fabrikat, studentët, të cilët janë përfituesit kryesorë të ‘Ballkanit të hapur’. Të gjithë vuajnë sot, qoftë nga pritjet në kufi apo kontrollet e ndryshme. Ndihem mirë, pasi thelbi i kësaj iniciative është që ekonomitë tona të rriten. Serbinë e marr si shembull, pasi ka tërhequr shumë investues të huaj. Sot kemi pasur mundësinë të takohemi e t’i dëgjojmë bizneset nga vendet pjesëmarrëse, na dhanë përkrahje dhe kërkuan nga ne që t’ua mundësojmë lirinë e lëvizjes nëpër kufi”, ka thënë Rama.
Një ditë më herët, në darkën zyrtare, Ramës-Vuçiqit e Dimitrovit u është bashkuar edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, që qëlloi për vizitë zyrtare në këtë vend. Mes të tjerash ai ka thënë se “nuk është kundër iniciativave të dobishme për rajonin”.
Deri më tash Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova kanë refuzuar të bëhen pjesë e kësaj iniciative.
Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dedikuar Kosovës, analistët i kanë vlerësuar të jenë puro politike dhe për interesa personale.
“Sot i pamë takimin e të tre liderëve, takimin me biznesmenë dhe me deklaratat e tyre, shihet që ata e kanë një vullnet dhe një qëndrim që dëshirojnë të themelojnë këtë iniciativë. Konsiderojmë që deklaratat ishin në vazhdimësi të qëndrimit të tyre. Këto deklarata të z. Rama dhe të z. Vuçiq janë deklarata puro politike dhe puro të drejtuara drejt interesit të tyre personal apo interesit të shtetit të tyre. Prandaj, ndonëse ndonjëherë nuk na pëlqen neve si Kosovë, duhet të jemi të mësuar edhe me deklarata, edhe me qëndrime të Shqipërisë që jo domosdoshmërisht na konvenojnë neve”, ka thënë Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). “Kosova është mirë që ka ruajtur një pozicion të vetin, e ka konstruktuar një qëndrim dhe ka vepruar në bazë të këtij qëndrimi dhe të këtij mendimi politik dhe ekonomik që ka për ‘Open Balkan’”.
Në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, i mbajtur në korrik të këtij viti në Shkup, kryeministrat e tri vendeve ishin pajtuar që nismës t’i ndryshohej emërimi nga “Mini Schengeni Ballkanik” në “Open Balkan”.
Tri shtetet kanë nënshkruar në fund të Forumit një marrëveshje e dy memorandume.
Marrëveshja ka të bëjë me rastet e katastrofave natyrore për gatishmëri për të mbështetur shtetet, për ndihmë të ndërsjellë.
Janë nënshkruar edhe dy memorandume mirëkuptimi. I pari ka të bëjë me lehtësimin e importit e të eksportit, pastaj për eliminim të barrierave në kufij e për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik.
Memorandumi tjetër ka të bëjë me tregun e fuqisë së punës, se si të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, të lehtësohet procesi i dhënies së lejeve të punës për qëndrim të përkohshëm.
Mbledhja e radhës do të mbahet në Tiranë në dhjetor, ku pritet që të nënshkruhen disa marrëveshje dhe memorandume.