Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka rikonfirmuar ofertën për një post pune në Maqedoninë e Veriut, në këmbim të votës së saj në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ajo theksoi se e ka refuzuar këtë ofertë dhe se ka zgjedhur të flasë hapur për rastin.
“S’kam çka me komentu. Unë kam thënë siç ka qenë situata, VV e di pse ka reaguar ashtu. Kam folur shumë sinqertë, shumë haptas dhe nuk pranova ofertën,” u shpreh Balje në një prononcim për media.
Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, kishte treguar pak ditë më parë se në këmbim të votës për Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, i është premtuar një vend pune si profesoreshë në Maqedoninë e Veriut.
“Pata disa thirrje nga persona që nuk janë direkt të politikës, por të shoqërisë. Para disa vitesh kam aplikuar për vendin e profesoreshës në Maqedoni sepse e kam shtetësinë dhe kam plotësuar kushtet, por ka qenë para sa vitesh dhe më nuk kam aplikuar. Tash kanë thënë se ka mundësi për të biseduar për vendin e punës nëse...”, ka thënë ajo./EO
