Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e dëmton ekonominë e vendit përmes politikave të tij. Ajo ka reaguar pas shkyçjes së bizneseve të cilat nuk kanë arritur marrëveshje me furnizues.
Bajrami e ka akuzuar Kurtin për kapje të institucioneve.
“Duhet të ndalet maskara që po i bëhet ekonomisë sonte. ZRrE në nëntor të vitit 2024 ka thënë se në Kosovë nuk ka treg të lirë të energjisë elektrike, ndërsa në mars kjo zyrë lajmëron se duhet të dilet në treg të lirë. Kjo është hajnia më e madhe që po ndodh në Kosovën e pasluftës. Duhet ta dijë Prokuroria e Kosovës se duhet të reagojë shpejt kundër këtij shkatërrimi dhe korrupsioni. Përgjegjës janë Albin Kurti, Ministria e Ekonomisë, ZRrE, KEDS dhe KESCO”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Bajrami ka kërkuar hetim mbi ZRRE-në për çështjen e daljes në treg të lirë, derisa ka shtuar se qytetarëy po paguajnë për “mafinë energjetike”.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucionet si ZRRE dhe të tjerat që kjo politikë të mos kalojë dhe të mos mbetet e pa ndëshkuar. Qytetarët duhet ta dinë se po paguajnë për mafinë energjetike. Çdo sekondë që e kanë një pajisje të kyçur në rrymë, nga xhepi i tyre ndajnë para për NOA-n e për kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi”, deklaroi ajo.