Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj asnjëherë s’do ta votojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, as edhe pas një procesi të ri zgjedhor.
Ajo ka thënë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja vetëm për shkak të një emri, Albulena Haxhiu.
“Sot në Kosofë flasim për një emër të vetëm, emrin e Albulena Haxhiut. Qytetarët e këtij vendi, në veçanti ata që kanë votuar me shumicë prej 42 për qind që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje, duhet të dinë se po shkojmë drejt procesit të zgjedhje. Po shkojmë në zgjedhje jo se si parti politike s’po pajtohemi për inflacionin, arsimin, krimet energjetike, papunësinë e probleme tjera, por pasi partia që fitoi 48 ulëse në Kuvend e ka një problem të vetëm. Ka reduktuar gjithë problemet e qytetarëve të Republikës së Kosovës në emrin e Albulena Haxhiut, e jo se nuk po ka mundësi të zgjidhin problemet. LVV-ja po do me i përsërit zgjedhjet për me zgjedh zonjën Haxhiu kryetare të Kuvendit. Me votat e LDK-së ajo s’do të bëhet kryetare e Kuvendit as edhe pas një procesi zgjedhor”, tha Bajrami pas seancës.
Ajo ka thënë se ishte anti-Kushtetuese dhe arbitraritet tentimi për ndryshim të votimit, duke e kthyer në votim të fshehtë. Por, tha se s’do të dërgojë rastin në Kushtetuese pasi nuk u aprovua ky ndryshim.
Ajo tha se LDK-ja nuk do marrëveshje politike me Vetëvendosjen dhe për këtë arsye s’do të marrë pjesë në takime të tilla. Sa i përket zgjedhjeve të reja, ajo ka thënë se duhet së pari të konstituohet Kuvendi.
