Ai ka thënë se ia ka sugjeruar presidentes Vjosa Osmani që përpara përfundimit të mandatit të saj, t’i procedojë amandamentet e ligjin për miratim.
“Tri partive të mëdha që dëshirojnë edhe çështjen e presidentit ta vënë në tavolinën e pazareve, ku ata e këmbejnë presidentin me dy apo tre ministra”, është përgjigjur Bajrami në pyetjen se kujt i intereson që të mos procedohet tutje ligji për zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit.
Bajrami ka thënë tutje se amandamentet bashkë me ligjin në tërësi mbahen të bllokuara prej vitesh në institucione.
“Nga viti 2001 kur kemi shkruar Kornizën kushtetuese e sidomos Kushtetutën e tanishme jam angazhuar dhe kam mbetur gati i vetmuar në idenë e zgjedhjes së drejtpërdrejt të presidentit. Duke qenë se Vjosa Osmani ka qenë zv.kryetare e Komisionit kushtetues, kemi punuar bashkë amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit... Kur kemi kryer projektin ka ndërhyrë Gjykata Kushtetuese dhe ka thënë se këto duhet t’i shqyrtoni kur t’i kryhet mandati presidentes Atifete Jahjaga. Fatkeqësisht këto amandamente dhe ligji mbahen akoma në zyrën e presidentes apo kryetarit të Kuvendit”.
Bajrami: LDK-ja si parti shtetformuese duhet t'i kthehet frymës së Ibrahim Rugovës
Akademiku Arsim Bajrami ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i kthehet frymës së ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ai ka thënë në “Konfront” të KTV-së se LDK-ja duhet të hyjë në dialog me partinë e parë apo me të tjerat dhe të gjejë zgjidhjen.
Bajrami mori shembullin e Rugovës, që tha se e kishte ofruar postin e kryeministrit në zgjedhjet e 2001-s, edhe pse LDK-ja i kishte fituar zgjedhjet.
“LDK-ja është parti shtetformuese, bashkë me PDK-në, themelues të këtij shteti. Ato që kanë udhëhequr shtetin deri në 2017, ku mendoj se Kosova ka qenë storie suksesi. Kosova ka qenë shtet i suksesshëm edhe për vlerësimin ndërkombëtar. Kemi pasur partneritet ndërkombëtar...LDK-ja duhet t’i kthehet frymës shtetformuese, të ndërtuar nga Ibrahim Rugova, që ka dhënë shenjë më të mirë të një lideri që nuk rezonon interesin partiak apo personal, karshi interesit të shtetit. Këtë e ka bërë në 2001-n, kur i ka fituar zgjedhjet. E ka dhënë pozitën e kryeministrit, e ka bërë vazhdimisht këtë. Në Rambouillet e ka lejuar Thaçin që të marrë kryesimin e delegacionit...”, ka thënë Bajrami.
Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Arsim Bajrami, ka deklaruar se partitë politike po luajnë “se kush po lodhet i pari” me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Ai ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se nga kjo situatë po pëson populli i Kosovës.
“Po luhet ajo loja e blerjes së kohës apo se kush po lodhet i pari. I pari po lodhet populli, po pëson, që bëri zgjedhje të mirë, por tash po abuzohet me këtë zgjedhje. Po kalkulohet me zgjedhje, që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë këtë situatë”, ka thënë Bajrami.
Ai shtoi tutje se është qasje e gabuar që zgjidhja e situatës po lidhet me deputetët e partive pakicë, pasi u shpreh se “zgjidhja duhet të jetë me partitë shqiptare pasi ato duhet ta qeverisin Kosovën”.
Bajrami: Jemi në një situatë të degradimit institucional, s'ka ndodhur asnjëherë
Arsim Bajrami, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, ka thënë se Kosova gjendet në momentin më serioz të degradimit institucional.
Sipas tij, moskonstituimi i institucioneve po u jep mesazh të keq ndërkombëtarëve për kapacitetin qeverisës. Bajrami shtoi se vonesat në themelimin e institucioneve, të motivuara ndoshta edhe nga interesa politike, janë duke i shkaktuar dëme të mëdha shtetësisë së Kosovës.
“Fatkeqësisht ne në historinë më të re të politikës nuk kemi pasur asnjë moment më serioz të degradimit institucional. Kjo tanimë ka tejkaluar edhe nivelet e krizave politike. Jemi dëshmitarë të një degradimi institucional i cili seriozisht po zbeh aftësitë tonë qeverisëse, apo po jep mesazhe shumë të këqija karshi bashkësisë ndërkombëtare, sidomos partnerëve tanë për kapacitetin tonë qeverisës. Ndoshta edhe për interesa politike po degradojmë pak a shumë edhe shtetin, sepse pamundësia e themelimit të institucioneve është një element jashtëzakonisht i dëmshëm për shtetësinë tonë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.