Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se tani për tani nuk ka nevojë që të mbahen zgjedhjet dhe se institucionet duhet të konstituohen bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Ne vetëm sa e kemi kaluar një proces të zgjedhjeve nacionale, duhet të bëhet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor sepse nuk mund të priten aq shumë ndryshime të mëdha ... Ne kemi pasur zgjedhje nacionale, nuk ka kurrfarë arsyeshmërie që në pamundësi ose në mungesë të vullnetit politik nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të gjetur rrugën e bashkëpunimit me partitë e tjera parlamentare, për ta përsëritur edhe një herë procesin zgjedhor”, ka theksuar Bajrami, pas dështimit të 27-të për konstituim të Kuvendit.
Ajo ka thënë se LDK-ja ka treguar se nuk mund të bashkëqeverisin me LVV-në. “Por meqenëse të gjitha parashikimet janë që në do të kemi zgjedhje të reja në mars, kur vije radha e zgjedhjes së presidentit, kemi propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse, kalimtare me një agjendë të caktuar”, ka shtuar Bajrami.
Ajo është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe nacionale në të njejtën kohë.
“Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në një periudhë të caktuar do të shkaktonte probleme të mëdha dhe po ashtu mundësi që zgjedhjet e tilla mandej edhe të mos pranohen nga ndonjë parti”, është shprehur Bajrami.
