Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj kryeshefit të kompanisë rajonale të mbeturinave “Ekoregjioni”, Burim Shala.
Shala u arrestua një ditë më parë nën dyshimin për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, në një tender në vlerë afro 400 mijë euro.
“Refuzohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj Kryeshefit të Ekoregjonit, Burim Shala. Gjykata nuk lejoi që, pa prova, të njëjtit t’i caktohet masa e paraburgimit. Burim Shala është i lirë”, ka shkruar avokati i tij Blerim Mazreku në Facebook.
Ndërkaq Prokuroria Speciale e ka konfirmuar se ka kërkuar masën e paraburgimit.
“Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, B.Sh., në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Arbnora Luta.
Shala dyshohet për keqpërdorim në tenderin për blerjen e 5 kamionëve dhe një autofshese, në vlerë afro 400 mijë euro.