Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ia ka shprehur shqetësimet në lidhje me punën e Dhomave të Specializuara, kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në një takim të martën.
Sipas një njoftimi për media, çështjet e diskutuara ishin bazuar në shqetësimet e ngritura nga palët. Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime nëse po garantohet gjykim i drejtë dhe i paanshëm për të akuzuarit. Këtu ai ka përmendur sigurimin e provave nga Serbia, që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e së cilës tash po akuzohen për krime lufte.
“Në këtë aspekt, Avokati i Popullit foli në lidhje me barazinë e armëve në raport me provat dhe mënyrën se si janë siguruar këto prova, e në veçanti duke iu referuar provave që sigurohen nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh që Serbia është një shtet që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës janë të akuzuarit. Ai shtoi se duke pasur parasysh mënyrën, rrugën dhe procedurat se si janë siguruar këto prova të njëjtat sa janë kredibile dhe sa mund të jenë të komprometuara në momentin kur paraqiten në gjykatë, dhe sa iu mundësohet mbrojtjes që këto prova t’i kundërshtojnë duke marrë informacione nga palët që i ka siguruar”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit ka thënë se mënyra se si funksionon gjykata duke u konsoliduar të gjitha nivelet e saj në një strukturë të vetme, “lë për të dyshuar në pavarësinë e gjykatave të niveleve që veprojnë brenda kësaj gjykate, dhe kjo nuk është në frymën e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykimin e drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe që ndërlidhen pastaj me të drejtën për një mjet efektiv juridik”. Këtu ka përmendur edhe vendosjen e Dhomave Kushtetuese dhe të Avokatit të Popullit të Speciales.
Shqetësim tjetër i ngritur, sipas komunikatës, është përgjimi i bisedave dhe vizitave në paraburgim. Sipas Avokatit të Popullit, ato mund të jenë të lejuara me ligj, por cenojnë parimin e privatësisë, jetës familjare dhe cenojnë mbrojtjen efektive nëse këto përgjime ndodhin edhe në raport me ekip mbrojtëse të të akuzuarve.
Kohëzgjatjen e paraburgimit, Avokati i Popullit e ka konsideruar problem në vete.
“Kjo kohëzgjatje dhe mos ndryshimi i masave me masa tjera alternative sikur Gjykata nuk u beson institucionet e Kosovës se ata mund të garantojnë respektimin e atyre masave dhe të garantojnë një proces të rregullt dhe të papenguar”, thuhet në komunikatë.
Avokati i Popullit ka kërkuar trajtim të barabartë të viktimave në çështjen e kompensimit, që çështjet e ngritura gjithmonë duhet sqaruar para publikut si dhe që të ketë transparencë më të madhe.
Trendafilova një ditë më parë anuloi një konferencë me gazetarë pas protestave të veteranëve të luftës.