Arbëri

Avokati i Popullit: Çdo i teti koment në rrjete sociale përmban gjuhë urrejtjeje

Naim Qelaj

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka paralajmëruar për përkeqësimin e diskursit publik në vend, duke kritikuar gjuhën e përdorur kohëve të fundit nga persona publikë dhe bartës të pozitave institucionale. Sipas tij, kjo gjuhë bie ndesh me standardet demokratike dhe parimet e Kushtetutës.

“Diskursi publik duhet të jetë më me frymë tolerante dhe që nuk cenon dinjitetin e tjetrit. Është problem me e vendos fajin te njëra palë, sepse të gjitha palët kanë eksponentë që përdorin këso lloj gjuhe”, ka thënë Qelaj në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai theksoi se rrjetet sociale kanë ndikuar ndjeshëm në shtimin e gjuhës së urrejtjes, duke treguar se nga një hulumtim i realizuar në vitin 2024, “çdo i teti koment përmban gjuhë të urrejtjes”.

Qelaj foli edhe për ankesat e komunitetit serb në komunat veriore, duke thënë se gjatë mandatit të kryetarëve shqiptarë janë paraqitur disa ankesat, nga çështjet e shpronësimeve, kërkesat për rrënimin e shtëpive, e deri te vështirësitë për pajisje me dokumente personale.

“Kemi pas ankesa të natyrave të ndryshme, ne i kemi trajtu dhe i kemi adresu. Disa kanë marrë zgjidhje, disa i kemi parandaluar që të mos cenohen të drejtat e komunitetit atje. Me kryetarët që u ka mbaruar mandati kemi pas komunikim normal, dhe po besoj që bashkëpunimi do të vazhdojë tash edhe me kryetarët serbë”, bëri të ditur ai.

Avokati i Popullit shtoi se institucionet nuk duhet të udhëhiqen nga qëndrime politike, por nga standardet e të drejtave të njeriut, duke iu përgjigjur ish-ministres Albulena Haxhiu, e cila kritikoi këtë institucion për qëndrimin se Lista Serbe duhet të certifikohet.  

“Avokati i Popullit i bazon qëndrimet në ekspertizë dhe standardet që lidhen me të drejtat e njeriut. Nuk merrem me deklarata politike. Sistemi ynë juridik e kushtetues nuk lejon përjashtime politike ose vendime të politizuara që kanë të bëjnë me përfaqësimin në zgjedhje”, shtoi ai.

Qelaj vlerësoi se vendi po përballet me një vakuum institucional, duke theksuar ngadalësimin e hartimit të ligjeve dhe mungesën e planeve qeverisëse afatgjata.

“Mungesa e institucioneve ka sjellë stagnim në të gjitha fushat. Ka humbur vëmendja nga elementet bazike që i ka nevojë qytetari, sepse krejt po merren me garën politike”, ka thënë ai.

Në fund, ai shprehu shqetësimin për mungesën e debatit parlamentar lidhur me të drejtat e njeriut, që sipas tij tregon mosvëmendje institucionale ndaj problemeve me të cilat qytetarët përballen për realizimin e të drejtave të tyre.