Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se të premten ka nisur asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk.
Sipas një njoftimit të AUV-it asgjësimi po bëhet pas një vendimi të Gjykatës Komerciale, siç thuhet, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë.
“Ky veprim kryhet me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë. Asgjësimi po realizohet në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e Shkallës së Dytë, sipas Aktvendimit Nr. të lëndës 2025:134825 me nr. dokumenti 07679680”, thuhet në njoftim.
Për vendimin e Komerciales AUV-i pati njoftuar edhe më herët.
“ ... kemi edhe vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. lëndës 2025:134825 të datës 12.09.2025 nr. dokumenti 07679680. Në respektim të këtij vendimi, AUV bashkë me kompaninë është duke bërë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, për të garantuar sigurinë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe integritetin e tregut ushqimor në Kosovë”, thuhej në njoftim.
Ndërkohë të dielën e kaluar AUV-i ka dhënë sqarime për praninë e parazitëve të llojit “Anisakis simplex” në peshkun që importohet në Kosovë.
Sipas tyre peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60 gradë.
“Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm”, thuhej në postimin e AUV-it.