Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në Ferizaj gjatë muajit qershor kanë realizuar një varg aktivitetesh në fusha të ndryshme.
Aktivitetet e inspektoratit janë zgjeruar edhe në Komunat fqinje të Ferizajt si: Shtime, Kaçanik dhe Hani i Elezit. Aktivitetet e inspektoratit janë fokusuar kryesisht në marketet për të parandaluar shitjen e produkteve ushqimore me afat të skaduar.
Ndërkohë janë asgjësuar mbi 18 mijë vezë të cilat kanë dalë në treg pa deklaracion. Në raportin e AUV-së në Ferizaj për muajin qershor midis të tjerash thuhet se janë shqyrtuar edhe ankesat e qytetarëve për produkte me afat të skaduar nëpër markete, të cilat janë rezultuar me rreth dhjetë fletëparaqitje për gjykatë.
“Gjatë muajit qershor, inspektorët sanitar dhe veterinar të AUV-së në kuadër të regjionit të Ferizajt kanë kryer aksionin inspektues ne Ferizaj, Shtime, Shtërpcë, Kaçanik dhe Hani i Elezit. Aksioni inspektues ka qenë kryesisht në marketet ushqimore, ku janë inspektuar 45 biznese që operojnë me shitjen e produkteve ushqimore (markete), për ruajtjen e produkteve ushqimore konform deklaracioneve, temperaturën në ruajtje, afatin e qëndrueshmërisë, origjinën e produkteve dhe kushtet higjienike”, thuhet në raportin e AUV-së në Ferizaj, përcjellë drejtori i këtij institucioni, Selami Salihu.
Sipas Salihut për shkak të shkeljeve të legjislacionit nga bizneset, inspektorët kanë ndëshkuar nëntë biznese me gjoba për shkak të kushteve të dobëta higjienike – sanitare.
“Pastaj në këto biznese janë asgjësuar 18 mijë kokrra veze pule pa vula e pa deklaracion (etiketa) dhe rreth 500 kg produkte ushqimore për shkak të shkeljeve si pasoje e mos respektimit të ruajtës në temperaturë sipas kërkesës së deklaracionit, ndryshime organoleptike, dëmtime teknike dhe skadim i afatit të qëndrueshmërisë. Nga zyra regjionale e AUV-se në Ferizaj është duke vazhduar inspektimi sipas planit nacional të kontrollave zyrtare dhe ankesave të konsumatorëve”, ka thënë Salihu nëpërmjet raportit.
Ky institucion kërkon nga të gjithë operatorët ekonomik që ta zbatojnë legjislacionin, që shitja e produkteve të jetë me deklaracion të origjinës, pastaj të ruajnë produktet në temperaturë sipas përshkrimit të etiketës dhe të mos ekspozohen ushqimet dhe lëngjet nen ndikimin e rrezeve të diellit dhe temperaturave në kundërshtim me deklaracionin e produktit.