Arbëri

AUV-i mbyll një restorant të ushqimit të shpejtë në Lipjan pas dyshimit se u helmuan disa klientë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka mbyllur një restorant të ushqimit të shpejtë në Lipjan, pas dyshimit se disa klientë të tij janë helmuar nga ushqimi që shërbente, kanë bërë të ditur për KOHËN zyrtarë të këtij institucioni.

Dyshimi është ngritur kur klientët që kërkuan ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, kishin frekuentuar të njëjtin lokal.

Së paku katër pacientë janë duke u trajtuar në Repartin Infektiv në Prishtinë.

Lokali është mbyllur nga AUV-i në mbrëmjen e së martës, ndërkohë pronarët pas kësaj kanë vënë afishe në xhama se “janë duke e rinovuar lokalin”.

Lamir Thaçi zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës ka thënë për KOHEN se menjëherë pas marrjes së informatës se katër persona janë helmuar nga ushqimi me hamburgerë dhe gjenden në Infektive, është iniciuar inspektimi sanitar tek operatori i dyshua. Sipas tij, në vendngjarje inspektorati konstatoi se subjekti përgatiste vetëm hamburgerë me salcë dhe sallatë.

“Janë marr 5 strisho dhe 4 mostra për testim. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në dalje të rezultateve. Varësisht nga rezultatet laboratorike rasti do të procedohet tutje sipas procedurave administrative bazuar në të gjetura e mbledhura nga gjurmueshmëria e rastit”, ka thënë Thaçi për KOHEN.

Koordinatori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, njëherësh Specialist i Mjekësisë Familjare, Izer Sinani, ka thënë për KOHEN se instituti ka kërkuar raport nga institucioni i tyre lidhur me numrin e saktë të pacientëve që po kërkojnë trajtim. Sipas tij, helmimi në raste të tilla vazhdon me ditë të tëra.

“Më kanë thirr nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës për të marrë shifrat e pacientëve të helmuar nga ushqimi. Tani jemi duke e bërë anamnezën dhe jemi duke i shikuar edhe raportet e secilit mjek se sa pacientë janë trajtuar brenda orarit të punës. Mund të them se gjatë ditëve të fundit kemi shumë raste që kanë kërkuar shërbime mjekësore shkaku i helmimeve të ndryshme me ushqim”, ka thënë Sinani.

Sipas tij, pacientët kanë treguar para stafit mjekësor se ku janë ushqyer para se të kenë pasur telashe.

KOHA ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës në Lipjan, e cila ka thënë se është në dijeni për rastin, por ndërkohë po e pret raportin e analizave nga niveli qendror.

KOHA ka kontaktuar edhe me pronarin e lokalit në Lipjan, por ai nuk ka pranuar të flas.

“Nuk kam çfarë të them derisa të dalin rezultatet e mostrave nga agjencia”, ka thënë ai përmes telefonit.