Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e fundit ka nxjerrë një varg shkeljesh dhe keqmenaxhim të parasë publike për Komunën e Hanit të Elezit. Kjo Komunë gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, kishte bërë shkelje, duke u nisur nga rekrutimi i personelit, pastaj mangësi në vlerësimin e tenderëve, parregullsi në procesin e subvencionimit dhe një varg parregullsish të tjera. “Komuna nuk ka përgatitur planin vjetor të mbështetjes financiare të Organizatave Joqeveritare (OJQ). Gjithashtu, nuk është përgatitur raporti vjetor për projektet e financuara, dhe as nuk ishte publikuar në uebfaqen e Komunës lista e përfituesve”, thuhet në raport.
Sipas raportit, Komuna nuk kishte caktuar zyrtar përgjegjës për monitorimin e subvencioneve të dhëna.
“Përfituesi i subvencionit për mbështetje të klubit të futbollit, në aplikacionin e tij kishte bashkëngjitur projektpropozimin e vitit 2020, ndërsa raporti financiar i ofruar nga përfituesi përmbante dëshmitë e faturave të vitit 2020 e jo ato të vitit 2021. Gjithashtu, edhe përfituesi i projektit për mbështetje të klubit të mundjes, në raportin financiar të dorëzuar në Komunë i kishte bashkëngjitur faturat e vitit 2020 dhe disa të vitit 2021, por që i takojnë periudhës para aplikimit për subvencion”, thuhet në raport.
Auditori ka gjetur dobësi dhe shkelje edhe në zyrën e prokurimit të kësaj Komune, derisa në një njoftim për një kontratë, përveç kërkesave të tjera, ishte kërkuar që operatorët ekonomikë (OE) të sjellin katalogun e produkteve të vulosura dhe të nënshkruara, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
“Te procedura e prokurimit publik për furnizim me material administrativ, në vlerë të parashikuar 9,980 euro, fituesi i tenderit nuk kishte sjellë katalog me informata dhe specifika përkatëse të produkteve të ofruara, por një dokument të panënshkruar dhe të pavulosur të produkteve të fotografuara. Kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme nga zyra e prokurimit gjatë vlerësimit të tenderëve. Në mungesë të informatave dhe specifikave sipas kërkesave përkatëse, produktet e kontraktuara mund të mos jenë në formatin dhe cilësinë e kërkuar”, thuhet më tej në raport.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, në këtë rast, kryetari i Komunës duhet të sigurojë që komisioni i vlerësimit të tenderëve rekomandon për kontratë vetëm ofertuesit më të suksesshëm që i plotësojnë kriteret e përcaktuara me njoftimin për kontratë.
Komuna ishte përballur me shkelje dhe keqmenaxhim të parasë publike edhe në fusha të tjera.
“Nga buxheti i investimeve kapitale janë paguar 31,069€ për furnizim me pajisje dhe mobile që për nga natyra i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve. Gjithashtu, si rezultat i vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, nga buxheti i mallrave dhe shërbimeve janë paguar 37,831 euro për shpenzime që për nga natyra i takojnë kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Kjo ka ndodhur për shkak të planifikimit jo të drejtë të buxhetit, duke përfshirë në buxhetin e investimeve kapitale planifikime që i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve, si dhe pagesave të realizuara nga Thesari si rezultat i vendimeve gjyqësore”, thuhet më tej në raport, duke sqaruar se ndikimi, planifikimi dhe realizimi i shpenzimeve nga kategoritë ekonomike joadekuate, ndikojnë në mbivlerësimin dhe nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve dhe të pasurive, andaj si rrjedhojë, kjo ndikon në pasqyrim jo të drejtë të shpenzimeve në raportin vjetor financiar.
“Në procedurat e rekrutimit për pozitat drejtor i shkollës dhe mjek i mjekësisë familjare, përveç konkursit, asnjë informatë tjetër e procesit të rekrutimit nuk ishte publikuar në uebfaqen e Komunës. Komisionet e pranimit për punonjësit e shërbimit publik ishin me nga tre (3) anëtarë, ndonëse me LZP kërkohet që komisioni të përbëhet nga të paktën me (5) pesë anëtarë. Kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit të dobët të kontrolleve të brendshme dhe moszbatimit të kërkesave ligjore për procedurat e rekrutimit të personeli”, thuhet midis të tjerash në raport.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se raporti i takon më së shumti ish-qeverisjes së kaluar, derisa mandati i tij në krye të Komunës ka nisur në fund të vitit. Sidoqoftë Ballazhi ka sqaruar se do ta analizojnë me vëmendje raportin dhe do t’u përmbahen rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.
“Ende nuk e kam analizuar në detaje raportin. Këto të gjetura i takojnë ish-qeverisjes së kaluar sepse ne e kemi marrë mandatin në fund të vitit, por sigurisht se jemi duke e përgatitur planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe gjithashtu e kemi angazhuar edhe stafin që të merret me këtë çështje”, ka thënë Ballazhi.