Arbëri

Auditimi konfirmon dyshimet për keqpërdorime me subvencione në “Botanika” në emër të prindërve

Raporti i auditimit të brendshëm për çerdhen “Botanika” në Prishtinë ka evidentuar parregullsi dhe keqpërdorime me subvencionime në këtë institucion. Sipas auditimit, 51 mijë euro janë keqpërdorur gjatë vitit të kaluar, pasi që institucioni ka nisur lista me emra prindërish për subvencionim nga Komuna, pa dijeninë e tyre

51 mijë euro janë përfituar jashtëligjshëm nga kopshti me bazë në komunitetin “Botanika”, nëpërmjet skemës së subvencionimit të prindërve nga Komuna e Prishtinës gjatë vitit të kaluar, thuhet në raportin e auditimit të brendshëm në këtë institucion.

Sipas raportit, brenda listave të subvencionimit ka fëmijë që nuk janë të regjistruar në kopsht dhe prindër që u është ndryshuar emri. 

Komuna në dy raste ka paguar mbi 50 mijë euro në emër të subvencionimit.

“Ka paguar 19,200 euro subvencione për fëmijë që nuk kanë qenë fare prezentë në institucion. Ka paguar 31,820 euro më shumë subvencione për fëmijë që kanë qenë prezentëm por që pagesat janë bërë edhe pse prindërit e fëmijëve kanë paguar pjesën e participimit në mënyrë të plotë gjatë kohëzgjatjes së vijueshmërisë në kopsht”, është thënë në raportin e auditimit.

Në raport është theksuar po ashtu se gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2024 nuk ka të dhëna për shpenzimet financiare, ndërsa nga llogaria bankare e institucionit vitin e shkuar janë tërhequr 46 mijë euro para të gatshme.

KOHA pati raportuar edhe më herët për dyshimet e prindërve të fëmijëve të kopshtit për përfitim të paligjshëm nga udhëheqja e “Botanikës” në emër të tyre, duke dërguar lista për subvencionim në komunë pa dijeninë e tyre. 

Sipas tyre, gjithçka ka nisur kur çmimi për pagim të kopshtit është rritur nga 100 në 150 euro. 

“Disa prindër e kemi kundërshtuar këtë formë të rritjes së çmimit edhe kemi menduar se nuk është i justifikuar mirë... Një tjetër kategori ka qenë Superpuna, në rast se po na thoni që po duhet të punësohet staf dhe me i rrit pagat e mësimdhënësve, atëherë pse duhet të merrni pagesa edhe nga Superpuna diku 8 mijë euro edhe të na kërkoni neve rritje”, ka thënë Burbuqe Grajçevci, prind i një fëmije që është në këtë kopsht.

Dalmat Hyseni, kryesues i ri i Këshillit të Prindërve në “Botanika”, ka thënë se do të ndërmerren hapa të nevojshëm për përmirësimin e situatës së krijuar.

“Qëllimi jonë është që dy javët e ardhshme Këshilli i Prindërve bashkë me një komision që do ta krijojë brenda kopshtit t’i pastrojë listat e atyre që realisht iu takon subvencioni, pra do të hapin një thirrje të re për prindërit që i kanë fëmijët aty”, ka theksuar Hyseni.

Jehona Lushaku, e cila ka qenë drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë në kohën kur janë ngritur dyshimet, ka thënë se nuk ka pasur indikacione për keqpërdorime me subvencione.

Sipas saj, përgjegjës për listat mbeten drejtuesit e institucionit.

“Kjo nuk e amniston askënd në botë që të fusë fëmijë që nuk janë në kopsht. Prandaj, nuk ka DKA-ja e nuk mund ta dijë se cilët fëmijë janë pjesë e ‘Botanikës’, posaçërisht nëse ata janë organizatë joqeveritare”, ka deklaruar Lushaku.

KOHA ka kontaktuar edhe me disa prej themeluesve të kësaj çerdheje e të cilët figurojnë në sistemin elektronik të organizatave joqeveritare (OJQ), për t’i pyetur nëse Komisioni për verifikimin e listave ka qenë funksional, e të cilët e kanë pohuar një gjë të tillë. Ata kanë thënë se më nuk janë pjesë e kopshtit derisa në raport thuhet se gjatë 2024-tës, Komisioni nuk ka qenë funksional.

Raporti i auditimit ka rekomanduar kthimin e 51 mijë eurove në llogarinë bankare të Komunës së Prishtinës, si edhe verifikimin e viteve të mëparshme nëse ka pasur keqpërdorime të tilla.