Arbëri

Asociacioni i Komunave kërkon shtyrjen e afatit për miratimin e buxheteve komunale

Agim Aliu

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i ka dërguar letër ministrit në detyrë të Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, duke i kërkuar shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026. 

Sipas dispozitave aktuale ligjore, komunat janë të obliguara deri më 30 shtator t’i miratojnë buxhetet për vitin 2026 në kuvendet komunale e më pas t’i dorëzojnë në Ministr të Financave. 

Por, Asociacioni ka thënë se duke marrë parasysh se më 13 shtator nis fushata zgjedhore dhe shumica e anëtarëve të kuvendeve komunale janë të angazhuar drejtpërdrejtë në fushatë, bëhet e vështirë funksionimi normal i organeve në procesin e miratimit të buxhetit. 

“Është më funksionale dhe e arsyeshme që buxhetet komunale të miratohen pas konstituimit të Kuvendeve të reja Komunale, nga institucionet e dala nga zgjedhjet lokale. Kjo do të mundësonte: që buxhetet të reflektojnë prioritetet e kryetarëve të sapozgjedhur dhe programeve të tyre qeverisëse; përputhje më të mirë mes premtimeve zgjedhore dhe resurseve financiare; një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës që respekton vullnetin e qytetarëve”, është thënë në letrën të dërguar Muratit. “Në këtë drejtim, Bordi i AKK-së, si organ përfaqësues i të gjitha komunave anëtare, kërkon nga Ju si Ministër në detyrë që të merrni një vendim për shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026, duke mundësuar që ky proces të zhvillohet pas konstituimit të Kuvendeve të reja Komunale”.