Qeveria Kurti nuk e ka bërë asnjë ndryshim në politika fiskale që nga ardhja në pushtet, ndonëse këtë e pati pjesë të programit qeverisës. E njohës të çështjeve ekonomike thonë se që nga viti 2008 është bërë shumë pak në reformimin e sistemit fiskal, teksa nuk ka pasur as indikacione për ndikimin e tyre në rritjen ekonomike
Asnjë ndryshim në politikat fiskale nuk është bërë nga Qeveria Kurti, që nga ardhja e saj në pushtet, ani se ridizajnimi i tyre ishte pjesë e programit qeverisës.
Teksa në të kaluarën, kryeministri Albin Kurti fliste për lirim nga tatimi për produktet bazike, pas ardhjes në pushtet, masa e vetme e ndërmarrë është ajo për lirim nga tatimi i pagës minimale. Por masa ka ngecur, shkaku që Ligji për Pagën Minimale është dërguar në Kushtetuese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUjkan Bajra, profesor universitar, thotë se që nga reforma fiskale e 2008-s është bërë shumë pak në reformimin e sistemit fiskal dhe se nuk ka pasur indikacione konkrete që ato kanë pasur ndikim në rritjen ekonomike.
“Nuk është bërë asnjë analizë e thelluar e regjimit fiskal as në të kaluarën dhe as tani dhe pavarësisht disa rasteve të vogla, kërkesat e bizneseve për aktivitete specifike nuk janë marrë parasysh në zbatimin korrekt të politikave tatimore që të sigurojnë qëndrueshmëri të të hyrave publike. Nuk janë përcaktuar as kufiri i borxhit publik, shpërndarja e të ardhurave, prioritizimi i shpenzimeve kapitale/qeveritare, rritja ekonomike, etj. Me fjalë të tjera, asnjë aktivitet ekonomik nuk nxitet të rritet pikërisht për shkak të një regjimi linear të aplikimit të politikës fiskale”, ka thënë Bajra.
Më 1 shtator të 2015-s pati hyrë në fuqi edhe pakoja fiskale që parashihte dy norma të TVSH-së, atë 18 për qind dhe 8 për qind. Ishin liruar po ashtu nga tatimi doganor produktet që konsiderohen lëndë e parë për procesin e prodhimit.
Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, thotë se nëse synohet zvogëlimi i pabarazisë në të ardhura, duhet reformë e përgjithshme e politikave, me theks të veçantë te politikat tatimore.
“Skemat aktuale nuk janë as progresive e as rishpërndarëse sa do të mund të ishin. Duhet ndryshuar skemën e tatimit mbi të ardhurat personale dhe atë mbi të ardhurat e korporatave. Duhet rikthyer tatimin mbi të ardhurat e dividentës. Duhet liruar nga TVSH-ja një sërë produktesh të shportës bazë të konsumatorit, dhe mbase rritur atë për disa produkte të tjera. Pra, hapësirë dhe nevojë për ndryshime ka edhe te skemat e tatimeve direkte edhe tek ato indirekte”, ka deklaruar Jakurti.
Sipas Jakurtit, nuk mund të zvogëlohet pabarazia nëse politikat tatimore synojnë vetëm uljen e barrës që e bartin ata që kanë të ardhura të ulëta, pa e rritur barrën tek ata që kanë të ardhura të larta.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati deklaruar më herët se po bëhen përpjekje për hartimin e politikave të duhura fiskale dhe të favorshme.
Por nga ky dikaster qeveritar nuk i janë përgjigjur pyetjes së KOHËS nëse është bërë ndonjë hap në ridizajnimin e këtyre politikave, ashtu siç ishte premtuar.