Në vitin 2024 sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) janë regjistruar 11 mijë e 810 vdekje, brenda dhe jashtë Kosovës.
Sipas ASK-së prej këtyre vdekjeve të regjistruara, 10 mijë e 137 vdekje kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës. Nga personat e vdekur 5 mijë e 320 janë meshkuj ose 52,5% dhe 4 mijë e 817 janë femra ose 47,5%.
Krahasuar me vitin 2023 numri i vdekjeve në vitin 2024 thuhet se është rritur për 515 persona brenda territorit të Kosovës. Sipas ASK-së në vitin 2023 ishin 9 mijë e 622 persona të vdekur.
Kurse, jashtë Kosovës janë regjistruar 1 mijë e 673 vdekje. Krahasuar me vitin 2023 kur ishin regjistruar 1 mijë e 499 vdekje, në vitin 2024 kanë vdekur 174 persona më shumë.
“Sipas komunës ku ka ndodhur vdekja, në Prishtina janë regjistruar më së shumti vdekje (2 795) ose 23,7%; në Prizreni 1 032 vdekje ose 8,7%; në Pejë 712 vdekje ose 6,0% etj.”, thuhet në njoftim.
Sipas ASK-së në vitin 2024 kanë vdekur 126 foshnja
“Nga këto foshnje të vdekura 70 raste ishin meshkuj ose 55,6% dhe femra 56 raste ose 44,4%. Foshnje të vdekura deri 6 ditë ishin 94 ose 75,2%; foshnje të vdekura nga 7 deri 27 ditë ishin 18 ose 14,4%; dhe foshnje të vdekura nga 28 deri në 364 ditë ishin 13 ose 10,4%”, thuhet në njoftim.
Mosha mesatare e personave të vdekur në vitin 2024 ishte 72 vjeç, te meshkujt 70 vjeç kurse te gratë 74 vjeç.