Në prag të largimit, Qeveria Kurti ka marrë vendim për ashpërsimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ka vendosur që asnjë maunë të mos hyjë, nëse në dokumentet e tyre nuk shkruan Republika e Kosovës.
Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Edison Jakurti, barrierat e vazhdueshme nga Serbia janë ndër arsyet për ashpërsimin e këtyre masave.
“Grupi ndërinstitucional ka identifikuar tutje barrierën që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj transportit të mallrave, duke u kërkuar operatorëve ekonomikë nga Republika e Kosovës që të pajisen me leje hyrëse nga zyra ndërlidhëse në Prishtinë para se të hyjnë në territorin e Serbisë. Krahas gjetjeve të grupit ndërinstitucional, MEPTINIS ka vërejtur se autoritetet në Serbi nuk njohin personalitetin juridik të shoqërive tregtare të themeluara sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Pas marrjes së vendimit, asnjë maunë nga Serbia nuk ka hyrë në Kosovë.
Por, sipas Doganës, gjatë të dielave është e zakonshme të mos ketë transport të mallrave për shkak se është ditë pushimi.
Vendimin e Qeverisë nuk e ka mirëpritur përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të këtyre masave.
Kurti i ka reaguar Lajçakut, duke shkruar se të refuzosh parimin e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës është njëjtë sikur t’ia mohosh Kosovës që t’i ushtrojë të drejtat si shtet sovran, raporton KOHA.
Tutje kreu i qeverisë në detyrë ka thënë se Serbia duhet ta shohë Kosovën si partner të barabartë në çdo tavolinë dialogu
E vendimi i së shtunës i qeverisë në detyrë nuk është mirëpritur as nga Presidenti Hashim Thaçi, që e ka konsideruar atë si mashtrim patriotik dhe në kundërshtim me pritjet dhe kërkesat e BE-së e SHBA-së.
Ndërsa, i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar shfuqizim të menjëhershëm të masave të ndërmarra nga Qeveria Kurti ndaj Serbisë.
Por, sipas Institutit GAP, masat e deritanishme janë të pakta në numër, krahas barrierave që aplikohen nga Qeveria e Serbisë ndaj eksportuesve kosovarë.
Qeveria më 31 mars kishte marrë vendim për heqjen e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe dhe vendosjen e dy masave tregtare të reciprocitetit. Me atë vendim lejohej futja e mallrave nga Serbisë nëse ato nuk kanë pasur dokumente fyese për shtetësinë e Kosovës dhe nëse në to ka shkruar Kosova.
Tregu u vërshua nga këto produkte serbe. Nga 1 prilli nga Serbia u importuan mallra në vlerë rreth 30 milionë euro, ndërsa u eksportuan në Serbi mallra në vlerë 2.7 milionë euro.